Nga unifikimi doganor te tarifat “roaming”, vendimet e mbledhjes së Pejës

Unifikimi doganor, heqja e tarifave “roaming” dhe krijimi i pikës tranzit për Kosovën në portin e Durrësit ishin disa nga vendimet më të rëndësishme në mbledhjen e dy qeverive në Pejë.

Vendimet e marra nga qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë do të hyjnë në fuqi nga fillimi i 2019-ës.

Ndërsa e cilësoi mbledhjen e përbashkët në Pejë midis qeverive si mbledhjen me produktin më konkret, Edi Rama mori përsipër edhe të tregonte se cilat ishin ato: S’do ketë më asnjë lloj barriere tarifore ose jo tarifore mes Shqipërisë dhe Kosovës. Për shembull 42 dokumente në fushën e shkëmbimeve tregtare do të hiqen. Do të bëhet njohja e ndërsjellët e patentave. Në pikat e kontrollit kufitar do vlejë vetëm dokumenti i njërës palë”, u shpreh Rama.

Një tjetër hap konkret në këtë mbledhje, sipas Ramës, është nisja e bashkimit doganor. “Ne kemi thënë që do të bashkojmë doganat. Sot hedhim hapin e parë konkret. Kosova do të ketë pikën e vetë të tranzitit në Durrës dhe brenda 6 mujorit të vitit të ardhshëm do të vazhdohet drejt bashkimit doganor”, tha Kryeministri Rama.

Pika kufitare e Morinës, do të jetë një pikë kontrolli e përbashkët. Brenda 6 mujorit të parë të 2019-ës Shqipëria dhe Kosova nuk do të kenë “roaming” në territorin e përbashkët.

Shkarkoni aplikacionin e A2