Policia procedon penalisht Bashën dhe deputetë të PD

Lulzim Basha me banorët e “Astirit”

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha si dhe disa deputetë të tjerë të Partisë Demokratike janë proceduar penalisht nga Policia e Shtetit.

Burime nga policia pohojnë se kreu demokrat dhe deputetë të tjerë të kësaj force politike, gjatë pjesëmarrjes në protestën e 23 nëntorit me banorët e “Astirit” kanë konsumuar tre vepra penale, organizim dhe pjesëmarrje në tubim të paligjshëm, prishje e qetësisë publike dhe pengim i qarkullimit të automjeteve.

Ndërkohë, sot rreth orës 15:00 në Gjykatën e Tiranës do të jepet masa e sigurisë për 18-vjeçarin Daniel Dobraj, i cili akuzohet se ka sulmuar policen Ina Nuka, gjatë protestës së banorëve të “Astirit” përpara Parlamentit.

Ndërsa, kreu demokrat Lulzim Basha i bëri sërish thirrje Kryeministrit Rama që të tërhiqet nga projekti për të shembur shtëpitë në “Unazën e Re”, ndërsa e akuzoi atë si të vetmin përgjegjës për dëmin material dhe moral që i ka shkaktuar mijëra familjeve.

Basha paralajmëroi se këtë të hënë, PD do të publikojë fakte të forta për korrupsionin qeveritar.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN