Unaza e Madhe, kostot përtej politikës

Plani i Unazës së Madhe 

Do të kushtojë 154 euro për centimetër rruga për projektin e Unazës së Madhe nga sheshi Shqiponja tek Pallati me Shigjeta.

Kjo është përllogaritja që A2 CNN ka bërë, bazuar në projektin e ARRSH-së, duke pjesëtuar koston totale prej 40 milionë euro me gjatësinë e rrugës, përfshi këtu veprat e artit dhe ndriçimin.

Kostoja e këtij projekti është kthyer një debat publik mes kreut të opozitës Lulzim Basha dhe kryeministrit Rama. Sipas kryedemokratit, rruga po kushton 2 mijë euro për centimetër.

Ndërsa kryeministri bazohet mbi llogaritjen e Autoritetit Rrugor, me një kosto prej 22 euro për centimetër, por nuk përfshihet kostoja e veprave të artit, si mbikalimet.

Pano Soko, ekspert ekonomie

Edhe kjo jo pa qëllim, për ta nxjerrë vlerën më të ulët. Sipas përllogaritjeve tona, për kategorinë A të rrugës, që quhet ndryshe autostradë, kostoja e projektit arrin në 15.4 milionë euro për kilometër përfshi çdo gjë shtesë, një vlerë që edhe ekspertët e cilësojnë si të fryrë.

“40 milionë euro kushtuan tre akse të ngjashme me këtë. Si ka mundësi që vetëm ky aks ka kushtuar po aq? Mos kemi më tepër flukse aktiviteti në këtë aks? Jo, sepse terreni ai është, veprat e artit po ato janë, po ndërtohet një mbikalim siç është ndërtuar edhe më parë. Pra shqetësimi që këtu ka abuzim është real”, thotë Pano Soko, ekspert për çështjet ekonomike.

Nëse bëjmë një krahasim me të dhënat e kostos së autostradave në disa shtete në Evropë, shohim se kjo shifër është ndjeshëm më e lartë se në Austri, si shteti me koston më të lartë prej 12.8 milionë euro për kilometër.

Shifra në Shqipëri madje është dyfish më e lartë se kostot e vendeve si Kroaci dhe Sllovenia, me përkatësisht 6.6 milionë dhe 7.2 milionë euro për kilometër.

Shkarkoni aplikacionin e A2