I gjithë kampionati mban zi për futbollistin që nuk kishte vdekur

Një skuadër amatore futbolli në Irlandë ka kërkuar falje për “gabimin e madh” pasi raportoi se një prej lojtarëve kishte ndërruar jetë në mënyrë që të anulonte ndeshjen e radhës.

Ballybrack FC, skuadër nga Dublini, iu tha zyrtarëve të ligës se lojtari spanjoll Fernando Nuno La Fuente Saiz ishte vrarë në një aksident automobilistik të enjten e kaluar. Si pasojë, ndeshja e të shtunës kundër Arklow Town u shty, ndërsa lojtarët e skuadrave të tjera mbajtën shirit të zi në krah dhe një minutë ndeshje për nder të kolegut të tyre.

Fusha e klubit Ballybrack FC dhe Fernando Nuno La Fuente Saiz (portret)

Madje drejtuesit e ligës “Leinster Senior” publikuan lajmin e vdekjes së lojtarit në gazetën irlandeze “The Herald”, para se të zbulohej se La Fuente Saiz ishte shëndoshë e mirë në shtëpinë e tij në Galaway. “Më duhet të telefonoj bashkëshorten time në Spanjë para se ajo të dëgjojë lajmin”, tha lojtari për “Daily Mail”. “Vetëm tani po i marr vesh lajmet që paskam vdekur dhe më duhet të marr veten nga kjo histori”.

Sekretari i klubit u detyrua të jepte dorëheqjen një ditë më parë pasi klubi kërkoi publikisht falje përmes një postimi në Facebook, duke e quajtur ngjarjen një gabim të papranueshëm.

Shkarkoni aplikacionin e A2