Shitet në ankand segmenti i Kullës Eiffel!

Një segment i shkallëve spirale të kullës Eiffel, atraksioni më i famshëm i Parisit, u shit për 169 mijë euro në një ankand të zhvilluar të martën.

Sipas një zëdhënëse të shtëpisë së ankandeve Artcurial, vlera ishte 3-fish më e lartë se sa çmimi fillestar.

“Kulla Eiffel është monumenti më emblematik i Parisit. Është një monument që i mahnit të huajt. Kjo është një mundësi unike për të zotëruar një copëz historike që simbolizon progresin teknik dhe modernizmin”, shpjegoi Cecile Tajan, specialiste e godinave Art Deco.

Detaj nga shkallët

Ofertuesi i suksesshëm, një koleksionit i paidentifikuar nga Lindja e Mesme, arriti të siguronte pjesën metalike prej 4.3 metra të gjatë, që i përkiste kullës 129 vjeçare. Ajo peshon 900 kg, dhe përfshin 25 shkallë.

Objekti, pjesë e një koleksioni privat në Kanada, kishte lidhur dikur dy katet më të larta të kullës Eiffel. Ai është një prej 24 seksioneve qe u prenë në 1983-shin, pas vendosjes së një ashensori mes dy kateve.

Kullla Eiffel është padyshim një nga simbolet e Parisit dhe e gjithë Francës

Pjesa e shitur të martën u ekspozua përgjatë 20 ditëve për publikun, në oborrin e shtëpisë së ankandeve në Champs-Elysees. Një tjetër segment i shkallëve u shit në 2016-tën, për 523 mijë euro.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN