Milani nga gafa te goleada, kualifikimi mbetet pezull

Momentet festimi nga goli i parë i Cutrone-s

Milani mori një fitore të thellë 5-2 përballë skuadrës gjysmë-amatore nga Luksemburgu, Dudelange, në një sfidë që gjithsesi nuk rezultoi aq e thjeshtë për formacionin e Gattusos.

Kuqezinjtë gjetën avantazhin në minutën e 21-të, me anë të sulmuesit të ri Patrick Cutrone, i cili shfrytëzoi më së miri një asist të dhënë nga shoku i repartit, Gonzalo Higuain.

Gjithsesi luksemburgasit reaguan dhe barazuan në minutën e 39’ me anë të Stolz, ndërsa në fillim të pjesës së dytë, gjetën avantazhin me anë të Turpel.
Genaro Gattuso nuk mund të pajtohej kurrsesi me këtë figurë të shëmtuar dhe ngriti nga stoli Suson, ndërsa deri në fund kuqezinjtë shënuan plot 4 herë, dy autogola dhe me Calhanoglu e Borinin.

Po në grupin e Milanit, në Andaluzi ishte Betisi që mposhti me rezultatin minimal 1-0 Olympiacosin e Pireut, duke siguruar kualifikimin për më tej, ndërsa grekët do të luajnë ato pak shanse që kanë për kualifikim, ndaj Milanit në ndeshjen e fundit në grup.

Arsenali mori një tjetër fitore, teksa mposhti Vorslka Poltavën me rezultatin 0-3, në një sfidë të cilën “topçinjtë” e mbyllën brenda 45-minutëshit të parë. Në të njëjtin grup, portugezët e Sportingut të Lisbonës triumfuan me rezultatin tenistik 1-6 në transfertën azere ndaj Qarabagut.

Salzburgu mposhti “simotrën” gjermane, Leipzig, me rezultatin minimal 1-0, ndërsa llogaritë në grup janë të hapura tashmë, pasi edhe skocezët e Celtic fituan me të njëjtin rezultat në transfertën norvegjeze ndaj Rosenborgut.

Shkarkoni aplikacionin e A2