Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

Thaçi te Zëri i Amerikës: S'ka marrëveshje pa përcaktimin e kufijve

Nga A2 CNN
29 Nëntor 2018, 16:17 | Kosova

Gjatë vizitës së tij në Uashington, presidenti Hashim Thaçi nuk e përmendi çështjen e korrigjimit të kufijve me Serbinë, por në një intervistë për Zërin e Amerikës ai e tha hapur se nuk do të ketë marrëveshje me Beogradin pa përcaktimin e kufijve.

“Por, një gjë duhet ta kemi të qartë: se pa definim të kufijve, nuk do të ketë as marrëveshje përfundimtare paqësore që garanton njohjen reciproke. Prandaj, ekipet profesionale të dy vendeve tona, ku do të jenë edhe ndërkombëtarët, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, të NATO-s, të BE-së, do të punojmë sikurse edhe në ekspertizat e vendeve tjera, që të definohet qartë edhe vija kufitare në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Thaçi.

Ideja e Thaçit për shkëmbimin e territoreve mes dy vendeve, është pritur me kritika të ashpra në Prishtinë.

Kufiri mes Kosovës dhe Serbisë

Kryeministri i Kosovës ka dalë hapur kundër një mundësie të tillë. Thaçi foli gjithashtu për tarifat ndaj produkteve serbe, duke sugjeruar se çështja mund të zgjidhet përmes dialogut.

“Raportet Kosovë – Serbi vazhdimisht kanë qenë të komplikuara, herë herë edhe të tensionuara. Kemi edhe situatën e fundit që ka ndodhur. Prandaj, unë besoj që në një dialog të brendshëm, por edhe në rrafshin ndërkombëtarë, do të gjejmë mundësinë e tejkalimit të kësaj situate të një koordinimi të mirë edhe më SHBA-të por edhe BE-në. Unë sot kam pasur biseda edhe me përfaqësuesit e BE-së, gjithashtu edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të NATO-s. Udhëtimi ynë është i sigurt drejt perspektivës euro – atlantike. Angazhimet tona do të jenë tejkaluese në rrafshin e problematikave lokale në qëllimin madhor për koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë”, përfundoi Thaçi.

Thaçi dhe kongresmeni Engel

Presidenti i Kosovës përmendi gjithashtu mbështetjen që i kishte ofruar administrata Trump sa i përket dialogut me Serbinë dhe anëtarësimit në strukturat ndërkombëtare.

Pas sekretarit të Shtetit Majk Pompeo dhe Këshilltarit për Sigurinë John Bolton, Hashim Thaçi u takua me kongresmenin shqiptar Eliot Engel.

Presidenti kosovar tha u bisedua për tema me interes për Kosovën dhe se Engel do të vazhdojë të lobojë për popullin e Kosovës dhe për një bashkëpunim më të thellë mes Prishtinës dhe Shteteve të Bashkuara.

Lidhur me idenë e korrigjimit të kufijve, Engel ka theksuar se SHBA do të mbështesë liderët e Kosovës për çfarëdo që ata të vendosin. Kongresmeni amerikan theksoi gjithashtu nevojën për një marrëveshje gjithë përfshirëse dhe paqësore me Serbinë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë