Partizani fiton derbin, tension mes tifozëve në stadium dhe në rrugë

Derbi i kryeqytetit sheh sërish fitues të kuqtë e Partizanit që mposhtën me përmbysje 2-1, rivalët e Tiranës. Bardheblutë kanë tashmë gati 5 vjet që nuk e provojnë shijen e fitores, ndërsa Partizani vinte në derbi i pamposhtur prej 14 ndeshjes, nga të cilat gjysmat i ka fituar dhe pjesa tjetër janë ndarë në barazim.

Tirana kaloi e para në avantazh me golin e Halilit, por disa gabime elementare në mbrojte eklipsuan golin e 20-vjecarit. Në të dyja rastet, sulmuesi Hebaj i Partizanit u gjend në vendin e duhur dhe ndëshkoi Tiranën duke i dhënë Partizanit 3 pikët që shkëpusin përkohësisht nga Skënderbeu, në vendin e parë.

Ndërkohë 24 herë kampionët e Shqipërisë nuk arrijnë të dalin nga fundi i tabelës dhe për një fitore të mundshme në derbi do të duhet të presin shkurtin e vitit të ardhshëm.

Sherr mes tifozëve
Derbi mbetet gjithmonë emocionues dhe për rivalitetin historik ndërmjet Partizanit dhe Tiranës, tensioni në tribuna është i pashmangshëm. Këngë, ngacmime dhe fyerje në distancë, spektakël piroteknikë.

Tifozët bardheblu të cilët ishin të pranishëm në stadium kanë përsëritur fenomenin e thyerjes së stolave. Menjëherë pas pësimit të golit të dytë, disa individë të ndodhur në sektorin H2 të miqve nisën shkatërrimin e ndenjëseve ku ndodheshin dhe më pas i hodhën ato në drejtim të fushës. Arsyeja kryesore e nervozizmit të tifozëve të Tiranës është dukshëm mungesa e sukseseve prej kohësh përballë rivalëve të Partizanit.

Sa i përket spektaklit, tifozët e Partizanit ishin dominues, edhe sepse grupimi më i madh i ultrasve bardheblu, Tirona Fanatics e bojkotuan ndeshjen, ku do të konsideroheshin tifozë miq në stadiumin e tyre.

Por beteja nuk përfundoi në stadium, duke u spostuar në rrugët e Tiranës. Grupime të mbështetësve të të dyja skuadrave u përballen pas ndeshjes, duke shkaktuar incidente në kryeqytet. Sende të forta dhe flakadanë që fluturonin, por edhe konfrontime fizike. Për të shpërndarë dy grupimet rivale menduan forcat e rendit, ndërhyrja e të cilave bëri që situata të vihej nën kontroll, ndërsa nuk munguan as ndalimet e disa prej tifozëve.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN