Deputetët serbë ngujohen në Parlamentin e Kosovës

Deputetët e Listës Serbe janë mbyllur në Kuvendin e Kosovës në pritje të mbërritjes së Komsionerit për Zgjerimin Johannes Hahn. Lista Serbe bëri të ditur se kërkon një mbledhje me komsionerin, për ta njoftuar atë mbi krizën humanitare që kërcënon popullin serb për shkak të taksës prej 100% të vlerës, të vendosur nga Qeveria e Kosovës për produktet serbe.

Igor Simiç nga Lista Serbe paralajmëroi përshkallëzimin e situatës. “Ne i qëndrojmë fuqishëm kërkesave tona që të takohemi me Hahn, pasi situata politike mund të përshkallëzojë. Duam që të Bashkimi Europian ta dijë se ka përgjegjësi për këtë që po ndodh”, tha Simiç.

Ai tha se pas vendosjes së taksës prej 100%, serbët po përballen me mungesë të ushqimit, barnave, por edhe të shtypit nga Serbia. Ndërkohë që të dielën sipas tij nuk janë lejuar të hynë në Kosovë ndihmat humanitare nga Serbia.

Qëndresës së Listës Serbe i shtohet edhe “Marshi i grave” të Mitrovicës, siç është cilësuar protesta që do të mbahet para zyrave të BE dhe EULEX në Mitrovicë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN