Shqipëria kundër kampionëve të botës

Shqipëria do të luajë në grupin H kualifikues të Euro 2020, ku si kundërshtarë do të ketë Francën kampione të botës në fuqi.

Ky është verdikti i shortit të hedhur në Dublin, me kuqezinjtë që rigjejnë gjelat në rrugën e tyre, pas kualifikueseve të Europianit të kaluar, por edhe përballjes në grupet e fazës finale të Euro 2016. Rivalët e tjerë në kualifikuese janë edhe Islanda dhe Turqia, dy skuadra të cilat vlerësohen si kundërshtarët direkt për vendin e dytë, që do të garantonte edhe biletën drejt evenimentit më të rëndësishëm kontinental.

Skuadrat të cilat vlerësohen si më të dobëta në grup janë Moldavia nga vazo e pestë dhe Andorra nga vazo e gjashtë. Shorti nuk mund të cilësohet i lehtë për kuqezinjtë, edhe sepse Islanda ka qenë një prej surprizave të futbollit botëror gjatë 4viteve të fundit, ndërsa Turqia mbetet një emër i madh, pavarësisht uljeve dhe ngritjeve.

Kosova përballë Anglisë
Kosova e sheh veten në Grupin A, aty ku koka e serisë është Anglia e Gareth Southgate, njëkohësisht mes finalisteve të Ligës së Kombeve. Në grupin e përfaqësueses së drejtuar nga Shaland janë edhe Republika Çeke, Bullgaria dhe Mali i Zi. Në pritje të kualifikueseve të Euro 2020, Kosova ka një shans drejt turneut kontinental edhe nga Liga e Kombeve, pasi është kualifikuar në fazën “Final Four”. Fillimisht ata duhet të fitojnë sfidën gjysmëfinale me Maqedoninë, për të synuar më pas suksesin në finale, ku do të kenë përballë fituesin e çiftit Bjellorusi-Gjeorgji.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN