Spektakël pa fitues, Inter-Roma mbyllet në barazim

Momenti i golit të parë të shënuar nga Keita Balde

Roma-Inter ishte superndeshja e javës së 14 në Serie A, e cila i përmbushi pritshmëritë për atë që lojtarët e dy skuadrave dhuruan në fushën e lojës.

Një ndeshje spektakolare, me ritëm e gola, por në fund fitues nuk doli asnjë nga dy ekipet, por “buzëqeshën” kundërshtarët pasi takimi u mbyll 2-2.

Zikaltrit kaluan të parët në avantazh në pjesën e parë, me anë të ish-sulmuesit të Lazios, Keita Balde, i cili shtyu në rrjetë një krosim perfekt të D’Ambrosios dhe çoi skuadrën në dhomat e zhveshjes, me fitoren 0-1.

Roma riktheu baraspeshën në fillim të pjesës së dytë, kur turku Under shënoi një gol spektakolar nga distanca, duke lënë të shtangur portierin e Interit, Samir Handanoviç.

Mauro Icardi shënoi në minutën e 66’ me kokë, pas një krosimi nga këndi, por Roma riktheu baraspeshën edhe njëherë, pasi Kolarov ekzekutoi saktë një 11-metërsh.

Minutat e mbetura ishin vërtetë spektakolare, me të dy skuadrat që kërkuan me çdo kusht fitoren, por verdikti final i 90-minutëshit ishte që Roma dhe Interi të ndanin pikët në “Olimpico”.

Me këtë rezultat, Interi shkon në kuotën e 29 pikëve, plot 11 më pak se Juventusi i vendit të parë, ndërsa Roma në kuotën e 20 pikëve, por vlen të theksohet se pankina e Di Francescos shpëton edhe njëherë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN