Dorëzohet UEFA, VAR edhe në Champions League

Tashmë është zyrtare: Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s miratoi përdorim e sistemit VAR edhe në Champions League. Video Assistant Referee do të nisë të praktikohet prej këtij edicioni, edhe pse fillimisht UEFA ishte kundër.

Në mbledhjen e zhvilluar në Dublin, konfederata europiane u dorëzua përpara vullnetit të klubeve. Në shortin në Montekarlo, presidenti Çeferin kishte shpallur se imazhet filmike në fushë do të shfrytëzoheshin prej edicionit 2019-2020. Në shtator kërkesa u refuzua, por tani ka ndryshuar gjithçka. UEFA u bind se ndihma e teknologjisë është e nevojshme.

Pas mbylljes së fazës së grupeve në Champions League, VAR do të përdoret prej ndeshjeve me eliminim direkt, të cilat do të zhvillohen në shkurt të 2019-ës.Teknologjia do të përdoret edhe në finalen e vitit 2019 të Europa League, në finalet e Ligës së Kombeve, por edhe në Europianin e 21-vjeçarëve, i cili do të zhvillohet në Itali, në qershor të 2019-ës.

Implementimi i sistemit VAR në ndeshjet më të rëndësishme të arenës ndërkombëtare nuk do të jetë i vështirë, duke qenë se gjyqtarët e nivelit më të lartë janë gati për këtë risi, duke qenë se i kanë përdorur pamjet filmike në ligat e mëdha europiane, por edhe në Botërorin 2018.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN