Miratohet buxheti, debate mes Braçes dhe Ahmetajt

Ka zgjatur pak orë seanca plenare, gjatë së cilës është miratuar buxheti 2019 dhe paketa fiskale që e shoqëron. Me 76 votat e deputetëve të shumicës drafti më i rëndësishëm i financave publike është votuar, por debatet nuk kanë munguar, edhe pse në sallë opozita nuk ka qenë.

Kryetari i komisionit të ekonomisë, Erion Brace ka bërë disa amendime për paketën fiskale, që kanë përfshirë çështje që nga renta minerare e deri te lojërat e fatit. Propozimet janë hedhur poshtë, me përjashtim të mos ndryshimit të tarifës doganore për frigoriferët, që Ministria e Financave e kishte përllogaritur ta bënte nga 1 janari 2019. Kjo situatë ka shkaktuar diskutime në sallë mes deputetëve të mazhorancës.

“Për sakohë që kemi lënë disa segmente të aktivitetit të lojërave të fatit, pa asnjëdiskutim për ato segmente unë mendoj që duhet të aplikojmë një tarifë të re tatimore prej 30%”, u shpreh Braçe. “Lojërat e fatit brenda pesë yjeve dhe resorteve është incentivë në mënyrë që të përmirësohet kthimi i investimit në turizëm. Pra nuk është logjikë e lojërave të fatit, ndaj unë i kërkoj grupit të jemi kundër këtij amendamenti dhe ta rishikojmë kur të kemi një maturim të kësaj gjëje”, reagoi Ahmetaj.

Pavarësisht qëndrimit të pandryshuar të mazhorancës, për mbylljen e lojërave të fatit ka reaguar edhe deputeti socialist Paulin Sterkaj. “Të pasurit paskan të drejtë të luajnë që shkojnë në 5 yje e 7-8 yje, ndërsa të varfrit s’paskan të drejtë të luajnë me lojërat e fatit”, u shpreh deputeti.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN