Paralajmërimi i natyralistëve: Shkatërrimi i qytetërimit është tonë në horizont

Ndryshimet klimaterike janë sfida më e madhe e njerëzimit në mijëra vjet. Mesazhi vjen nga natyralisti Sir David Attenborough, në hapje të bisedimeve për klimën në Katovicë të Polonisë, të sponsorizuara nga OKB.

Attenborough tha se ngrohja globale po rrezikonte shkatërrimin e civilizimit dhe botës natyrore. “Momentalisht ne po përballemi me një katastrofë të shkaktuar nga njeriu në shkallë globale. Kërcënimi ynë madh në mijëra vjet; ndryshimi i klimës. Nëse nuk veprojmë, shkatërrimi i qytetërimit dhe zhdukja e shumicës së botës natyrore janë në horizont”, u shpreh ai.

Takimi për klimën është më i rëndësishmi që prej marrëveshjes së Parisit në 2015-tën. Sekretari i përgjithshëm i OKB Antonio Guterres tha në ceremoninë e hapjes se ajo e ndryshimeve klimaterike ishte një çështje për jetë a vdekje për shumë vende. Sipas tij, bota është shume larg objektivit të një ekonomie me më pak karbon.

Ndërkaq, Banka Botërore njoftoi një financim prej 200 miliardë dollarësh përgjatë 5 viteve, për të mbështetur vendet në luftën kundër ngrohjes globale.

Kush është David Attenborough?

Sir David Frederick Attenborough është producent dhe historian natyralist anglez. i lindur në vitin 1926, Attenborough konsiderohet si thesar kombëtar në Britaninë e Madhe, për shkak të punës së tij në BBC në lidhje me jetën e kafshëve dhe bimëve në tokë.
Ai është I vetmi person që ka fituar një çmim BAFTA për prodhime të realizuara në bardhezi, me ngjyra, në HD, 3D dhe 4K. Në vitin 2002 është përfshirë në listën e 100 britanikëve më të mëdhenj të historisë në një sondazh të realizuar nga BBC.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN