Ana dhe Zefi, nga izolimi në tokë te dashuria në parajsë

Atë e njohin të gjithë. Është Ana Frank. Ditari i saj na rrëfen një histori izolimi, një nga ato histori që botës i është rrëfyer me zë të lartë, përmes letërsisë, teatrit, operës e kinemasë. Është vetëm një nga historitë e hebrenjve që u përndoqën për shumë vite.

Bashkë me rrëfimin e Anës, në Tiranë është ngjitur në skenë edhe një histori tjetër izolimi. Është rrjedha e jetës së Zef Bungës, një djali adoleshent që nuk ka mundur të jetojë botën jashtë. I izoluar në një kullë, Zefi përpiqet t’i mbijetojë gjakmarrjes. Kanuni e ka detyruar që në lindje të jetojë kështu, i fshehur, njëlloj si Ana Frank.

“Ana dhe Zefi takohen në një botë tjetër, përtej vdekjes. Aty nisin dhe tregojnë për izolimin që kanë përjetuar në tokë”, thotë regjisorja e shfaqjes, Corina van Eijk. “Të dyja historitë kanë të përbashkëta, por përtej dhimbjes, kjo shfaqje sjell një mesazh pozitiv. Ata gjejnë dashurinë dhe krijojnë një marrëdhënie plot dinamikë. Kur u njoha me kanunin e këtë realitet izolimi në Shqipëri, e kuptova lidhjen që kishin këto dy histori me njëra tjetrën, që Ad de Bont i ka sjellë përmes këtij libreti”.

Corina van Eijk, regjisore e shfaqjes

Në rolet kryesore, regjisorja ka përzgjedhur dy të rinjtë Patrik Vjollca e Anjeza Marku, zëra që sipas regjisores janë shumë premtues për skenën operistike shqiptare.

“Jam përkushtuar tepër, brenda vetes, në mënyrë që të gjej ndjesitë, dhimbjet, dëshirat, gjithçka që mund të gjejë një vajzë adoleshente, po ashtu e moshës sime. Por Ana Frank ka pasur të tjera kushte, një vajzë e re, në një kohë tepër të dhimbshme në Luftën e Dytë Botërore. E gjej tepër emocionuese që të shpreh atë që Ana Frank ka dashur të shprehë”, thotë soprano Anjeza Marku.

“Fillimisht ka qenë pak e vështirë, unë isha pak si i ndrydhur le të themi, por me kalimin e kohës çdo gjë filloi të zbutej, fillova ta merrja veten, fillova ta kuptoja komplet veprën në tërësi”, shprehet baritoni Patrik Vjollca, protagonisti tjetër i shfaqjes.

Më 6 dhjetor, këto dy personazhe rrëfejnë historitë e tyre në një teatër muzikal në Akademinë e Arteve në Tiranë për të rrugëtuar më pas në Kosovë në datat 8 dhe 9 dhjetor.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN