Homazhet për George Bush, politika amerikane nderon presidentin e 41-të

Në ambientet e Kongresit amerikan po zhvillohen homazhet ndaj ish presidentit George Bush i vjetri, i ndarë nga jeta të premten në moshën 94 vjeçare. Presidenti amerikan Donald Trump dhe bashkëshortja e tij Melania i bënë respektin ish liderit, duke qëndruar në heshtje për dy minuta para arkivolit të vendosur në Capitol Hill.

George Bush Jr i mallëngjyer gjatë ceremonisë për të atin

Kreu i Shtëpisë së Bardhë është përplasur në të kaluarën më familjen Bush por ai do të marrë pjesë në ceremoninë mortore që do të mbahet në katedralen e Washingtonit të mërkurën .

Donald dhe Melania Trump nderojnë memorien e  George Bush Sr 

Radhë të gjata u krijuan jashtë Capitol Hill, ndërsa publiku priste të bënte homazhe për të nderuar jetën e ish presidentit. Anëtarët e Kongresit dhe të kabinetit qeveritar ishin mes të parëve në Washington për të bërë homazhe për presidentin e 41-t të Shteteve të Bashkuara.

“Presidenti George Herbert Walker Bush e dashuronte familjen e tij dhe ai i shërbeu këtij vendi. Shembulli i tij gjithmonë do të frymëzojë dhe koha e shërbimit do të mbesë gjithmonë në zemrat e qytetarëve Amerikanë”, deklaroi zëvendës presidenti amerikan Mike Pence.

Një moment emocionues ishte homaxhi i senatorit 95 vjeçar Bob Dole

“Gjatë gjithë jetës së tij në shërbim, Presidenti Bush personifikonte mirësi. Karakteri i tij, nuk krahasohej me askënd”, pohoi gjatë ceremonisë Paul Ryan, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve.

Homazhet përkujtuan ish presidentin, por edhe bashkëshorten e tij 73-vjeçare Barbara, e cila ndërroi jetë në prill, si dhe shërbimin e familjes për vendin. Pas ceremonisë kombëtare të mërkurën, trupi i Bush do të kthehet në Houston për një ceremoni private lamtumire.

George Bush “i vjetri” mbajti postin e Presidentit për një mandat nga viti 1989 deri në 1993.

Ai do të transportohet me tren për në librarinë muze në nder të tij në “College Station” në Teksas, që do të jetë edhe vendi i tij i prehjes së përjetshme.

Qeni që ndihmonte presidentin Bush ruan edhe arkivolin e tij 

Ndërkaq, përdoruesit e rrjeteve sociale janë mallëngjyer nga fotoja që tregon qenin dy vjeçar të Bushit, pranë arkivolit të të zotit. Ajo është rishpërndarë me mijëra herë dhe ka siguruar mbi 230 mijë pëlqime.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN