Në përvjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura 66 ushtarakë shqiptarë nisen për në Afganistan

66 ushtarakë shqiptarë janë nisur këtë të martë për në Afganistan ku do të marrin pjesë në misionin e NATO-s, “Resolute Support”.

Kontingjenti përbëhet nga një kompani me dy toga të Batalionit Komando dhe Batalionit të Tretë të Këmbësorisë. Ai u përcoll për këtë mision pikërisht në 106-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura Shqiptare.

“Përfaqësimi në këto misione është shndërruar tashmë në simbolin e profesionalizmit dhe të përkushtimit të ushtarakëve tanë. Përkushtimi, përgjegjshmëria dhe profesionalizmi i tyre është demonstruar në marrjen përsipër dhe kryerjen e detyrave me rrezikshmëri të lartë në bashkëpunim me trupat aleate, për të cilat unë personalisht kam marrë vlerësime maksimale dhe të merituara prej personaliteteve më të larta ushtarake dhe politike të Aleancës”, tha ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, në fjalën e saj.

Në ceremoninë e përcjelljes ishin shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, ambasadori i Turqisë në Shqipëri Murat Ahmet Yörük, por edhe familjarë të efektivëve që u nisën në mision.

Përveç se në Afganistan, ushtria shqiptare është e pranishme edhe në Mali, Kosovë, Bosnje-Hercegovinë dhe Letoni, ndërsa ministrja Xhaçka njoftoi se së shpejti do të nisin edhe angazhime në kuadrin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN