Bentancur bind Allegrin dhe… Barcelonën, ofertë 60 milionë

bentacur-messi

Edhe pse një vit më parë nuk ishte një titullar fiks në formacionin e Juventusit, në nisje të këtij sezoni uruguaiani, Rodrigo Bentancur, është kthyer në një pikë referimi në mesfushën e Juventusit, duke dhuruar paraqitje fantastike.

I ndihmuar edhe nga dëmtimet që kanë ndjekur Sami Khedira-n dhe Emre Can-in, Bentancur ka arritur të tregojë vlerat e tij në mesin e fushës, duke bërë që Allegri të mbështesë lojën pikërisht te futbollisti, i cili është vetëm 21 vjeç.

Por Bentancur nuk ka bindur vetëm trajnerin Allegri për vlerat e tij, por edhe drejtuesit e Barcelonës, të cilët të paktën, sipas raportimeve të fundit të “Corriere dello Sport”, kanë bërë një ofertë tunduese prej 60 milionë eurosh.

Media italiane shkruan se drejtuesit e Barçës janë duke e ndjekur lojtarin prej kohësh, ndërsa oferta edhe pse e konsiderueshme duket më shumë si një testim për Juventusin.

Lojtari mbërriti në Torino gjatë sezonit të kaluar dhe ishte pjesë e marrëveshjes me Boca Juniors, ku u transferua edhe sulmuesi Carlos Tevez.

Në rast shitjeje, në bazë të marrëveshjes, Juventusi do të përfitojë vetëm gjysmën e parave pasi pjesa tjetër do të kalojë për skuadrën argjentinase, të cilët duket se janë duke “fërkuar duart” në këtë moment.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN