Kërcënon Kryeministrja serbe: Gati të ndërhyjmë në Kosovë

Kryeministria e Serbisë, Ana Brnabic tha se shpreson që të mos i duhet të përdorte ushtrinë për t’iu kundërpërgjigjur formimit zyrtar të Ushtrisë së Kosovës, por kjo ishte një nga alternativat në prag të votimit të ligjit më 14 dhjetor në Prishtinë.

“Shpresoj që kurrë të mos jemi të detyruar të përdorim armët, por për momentin kjo është një prej alternativave në tavolinë, pasi nuk mund të shohim një spastrim të ri etnik apo një stuhi të re, siç i quan Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama”, tha Brnabic në një konferencë për mediat.

Në Serbi është komentuar se Shtetet e Bashkuara kanë dërguar armë në Shqipëri në mënyrë që të përfundojnë më vonë në Kosovë, në përdorim të ushtrisë që do të formohet, por Brnabic nuk pranoi të komentonte mbi këto spekulime. Gjithsesi ajo tha që kjo është një çështje shumë serioze. “Shpresoj që Shtetet e Bashkuara të arsyetojnë dhe të dinë ç’është më e mira për partnerët e tyre në Prishtinë”, shtoi ajo.

Brnabic gjithashtu shtoi se që kur kishte marrë drejtimin e qeverisë i kishte kërkuar Presidentit Alexandar Vucic shtimin e investimeve në ushtri. “Nëse dikush e kupton që ke ushtri të fortë, atëherë është i detyruar të ulet të bisedojë me ty”, tha ajo.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN