SHBA i jep 60 ditë afat Rusisë: raketat ruse po rrezikojnë Evropën

Ndizen sërish marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Sekretari i Shtetit amerikan Mike Pompeo deklaroi nga selia qendrore e NATO që Moska ka 60 ditë afat për t’u kthyer mbrapsht nga manovrat e saj ushtarake që sipas Pompeos thyejnë traktatin për raketat bërthamore me rreze të ndërmjetme (IRN), i firmosur nga presidentët Ronald Reagan dhe Michail Gorbachev në vitin 1987.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo denoncoi shkeljen nga rusët e Traktatit të vitit 1987

Pompeo akuzoi rusët për një intensifikim të testimeve të raketave SSC-8 me një rreze veprimi që tejkalon traktatin IRN.

Traktati ndalon çdo bateri raketash që mund të godasë midis 500 dhe 5500 kilometrave, rreze e vendosur në 1987 në mënyrë që mos të ndërtoheshin baza bërthamore të dy superfuqive në Evropë.

Statusi në Twitter i Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo

Denoncimi amerikan vjen pas një raporti të detajuar të Pentagonit, ku shkeljet e rusëve u pranuan nga të 29 anëtarët e Natos.

Autoritetet ruse nuk vonuan të përgjigjeshin, edhe pse jo nëpërmjet homologut të Pompeos por me anë të një deklarate të ministrisë së Mbrojtjes ku nënvizohet që “Rusia i përmbahet me kujdes rekomandimeve të Traktatit, dhe Shtetet e Bashkuara e dinë mirë këtë”.

Reagan dhe Gorbachev firmosën traktatin IRF në vitin 1987

Gjatë deklaratës së tij pas mbledhjes së NATOs, Pompeo nuk përmendi vetëm çështjen e Traktatit bërthamor, por edhe një seri aktesh sipas tij armiqësore të Moskës ndër vite, nga kriza me Gjeorgjinë tek ajo në Siri dhe Ukrainë. Gjithsesi, Sekretari i Shtetit pranoi se do të ”mirëpriste” një tërheqje të autoriteteve ruse nga politika e tyre agresive.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN