Aleatët e PD: Pa Vetting në politikë, digjen mandatet

Aleatët rrisin presionin ndaj Partisë Demokratike për radikalizimin e qëndrimit në djegie të mandateve në rast se shumica nuk pranon Vettingun ndër radhët e politikanëve.

Kreu i PDK, Nard Ndoka dhe ai i LZHK, Dashamir Shehi thonë se nëse mazhoranca nuk ndryshon qëndrimin e saj lidhur me amendamentet e propozuara nga opozita, atëherë vendimi duhet të jetë unanim dhe duhet hequr dorë nga mandatet.

“Tashmë opozitës i takon një vendimmarrje më e rëndësishme përpara. Nuk është thjesht bojkoti ndaj Parlamentit, por djegia e mandateve dhe kalimi në një aksion politik i opozitës me të gjithë përbërësit e saj, duke përfshirë edhe pushtetin lokal. Në fund të fundit, kjo mazhorancë nuk reflekton ndryshe”, u shpreh për A2 News, kreu i PDK, Nard Ndoka.

Shpresojmë që para Vitit të Ri të gjendet një zgjidhje për t’i dhënë fund nëse do të jetë e mundur, e në rast të kundërt, unë them që edhe bojkoti ja vlen, të digjet mandati. Formulën opozitare duhet ta ndërtojmë në një mënyrë të tillë”, tha Dashamir Shehi.

Por PD duket se ka vendosur të mos e thotë fjalën e fundit. Kryetari i grupit të PD, Edmond Spaho thotë se çdo opsion mbetet i hapur nga protesta tek djegia e mandateve.

Për fat të keq, mazhoranca nuk e ka vënë ujin në zjarr për fat të keq. Të gjitha opsionet janë në shqyrtim, por vendimmarrja do të bëhet në mënyrë të përbashkët nga të gjitha partitë e koalicionit opozitar”, u shpreh Spaho për A2 News.

Vendimi i 14 dhjetorit i Komisionit të Venecias pritet të pasohet nga një takim i PD me aleatët për të dakorduar qëndrimin që do të mbajë me Kuvendin, në të cilin mungon prej muajit korrik.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN