“Bernabeu” gati për “superclasico”-n Boca-River

Finalja e Copa Libertadores mes Boca Juniors dhe River Plate do të luhet mbrëmjen e të dielës aty ku do t’i jepet fund maratonës së shtyrjeve të ndeshjes.

Në fillim kushtet e rënduara atmosferike, më pas sulmi ndaj autobusit të Bocës dhe një ditë më pas gjendja e rënduar e lojtarëve bën që emri i kampionit të ri të mos dihet ende.

Megjithatë dy skuadrat argjentinase do të konkretizojnë gjithçka në “Santiago Bernabeu” vetëm pas pak ditësh.

Kujtojmë që në këtë finale do të lejohen tifozëritë e të dyja skuadrave. Do jenë pikërisht ata të cilët do të kenë prioritet në marrjen e biletave. Tifozët e River që do të udhëtojnë drejt Madridit do të mund të ndjekin skuadrën e tyre me biletën të cilën nuk e shfrytëzuan në Argjentinë.

Vendimi për t’u luajtur në një stadium si “Bernabeu”, i cili u ofrua falas, nuk është pëlqyer nga drejtuesit e River që nuk shohin arsye përse finalja mos të zhvillohet në Argjentinë. Pala tjetër ajo e Boca Juniors që prej incidenteve kërkon titullin në tavolinë. Të dielën finalja e kthimit do të përcaktojë skuadrën që do të luajë në Botërorin e Klubeve, e cila zhvillohet pas dy javësh në Abu Dhabi.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN