Meta flet për Monikën: Vendimet e mia, të pandikuara

Gjatë intervistës në televizionin “A2 News”, për emisionin “I Ftuari” të gazetarit Endri Xhafo, Presidenti Ilir Meta ndalon shkurtimisht mbi marrëdhëniet me bashkëshorten Monika Kryemadhi dhe ndikimet e mundshme që mund të ekzistojnë brenda çiftit presidencial. Presidenti flet gjithashtu për vendimin e tij për të pranuar Presidencën si mënyra e vetme për të zgjidhur ngërçin politik.

Endri Xhafo: Nuk dua të hyj në marrëdhëniet personale, më interesojnë vetëm marrëdhëniet institucionale. Jeni President i Republikës, bashkëshort i kryetares së një partie opozitare. A bisedoni me zonjën Kryemadhi për çështje që kanë të bëjnë me politikën? A është zonja Kryemadhi një burim informacioni për Presidentin e Republikës? Nuk ka asnjë aspekt rozë pyetja: thjesht institucionale. Presidenti i Republikës e merr informacionin nga të gjitha burimet e mundshme. A është zonja Kryemadhi një burim informacioni për ju?

Presidenti Meta: Duhet të jeni i sigurt që nuk është një burim informacioni për mua, për arsye sepse në çdo rast është e njëanshme, por…

Endri Xhafo: A flisni me të për çështje të aktualitetit të ditës?

Presidenti Meta: Ajo që dua t’ju siguroj është se pavarësisht nga ajo se çfarë mund të diskutoj me cilindo, vendimet dhe gjykimet e mia janë krejtësisht të pandikuara nga përkatësia partiake, sociale, kulturore, fetare, e kujtdo qoftë.

Endri Xhafo: Një pyetje zoti President: në perspektivën e zgjedhjeve të ardhshme, ju do të jeni edhe President i Republikës, sepse i tillë është kalendari. A ju mungon partia që keni drejtuar? Lëvizja Socialiste për Integrim sot, nën drejtimin e bashkëshortes suaj, a është më e fortë? A është njësoj e fortë? Në opozitë?

Presidenti Meta: Unë nuk ndiej asnjë mungesë në përmbushjen e detyrës dhe përgjegjësisë sime si President i Republikës. Ndihem shumë i plotësuar në këtë detyrë. Me të vetmin shqetësim: Që ta përmbush deri në fund dhe me përgjegjësi të plotë.

Endri Xhafo: Ju pyes zoti President, sepse përpara se të betoheshit si President i Republikës keni thënë disa herë se “jam gati ta lë këtë gjë”.

Presidenti Meta: Për President?

Endri Xhafo: Për President. Sepse momenti i miratimit në Parlament, i betimit, ka qenë një moment që krijoi një…?

Presidenti Meta: Po, e vërtetë. Kam qenë i gatshëm për arsye, sepse edhe pasi…

Endri Xhafo: Domethënë jeni penduar sot?

Presidenti Meta: Jo! Absolutisht! Edhe pasi jam zgjedhur President, në qoftë se e ktheni vështrimin pas, opozita vazhdonte në bulevard të këmbëngulte për të mos hyrë në zgjedhje. Dhe ideja ime ka qenë se jam i gatshëm që për një zgjidhje, pra për të përfshirë edhe opozitën në zgjedhje, të tërhiqem nga kjo zgjedhje, pra si President, në mënyrë që çështja e Presidentit të ishte një mundësi për t’u diskutuar me opozitën në kuadër të një pakete të përgjithshme për ta kapërcyer atë krizë. Kjo ka qenë e vetmja arsye pse unë u deklarova në atë mënyrë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN