Meta në A2 News: Ligjet e Reformës në Drejtësi duhen ndryshuar

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ishte “I Ftuari” i Endri Xhafos në emisionin e mbrëmjes në A2 News. Presidenti u ndal në disa çështje të rëndësishme të aktualitetit, duke filluar nga Reforma në Drejtësi dhe gjithë problematikën në lidhje më të.

Endri Xhafo: Zoti President, të premten më datë 7 dhjetor Kuvendi i Shqipërisë do të hedhë shortin për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, një short që ju sipas letrës që i keni drejtuar Kuvendit, për shkak të problemeve ligjore që ju shihni në ligj, ia keni lënë Kuvendit ta hedhë. Mirëpo, duke parë listën e kandidaturave a mendoni se kemi probleme me njerëzit, me numrin e personave të kualifikuar për të qenë anëtarë të KED-së dhe më tutje?

Presidenti Meta: Ky është një problem i vjetër, i trashëguar dhe i konstatuar që në momentin kur është hedhur shorti për herë të parë në janar të vitit 2017. Në atë kohë unë kam qenë Kryetar i Kuvendit dhe padyshim që shorti është hedhur në mënyrën më korrekte, por pas hedhjes së shortit ka pasur disa reagime të papërshtatshme dhe përfundimisht është parë dhe shikuar, që ndryshimet kushtetuese bashkë me legjislacionin përkatës kishin vendosur disa kritere, të cilat e bënin shumë të vështirë një pjesëmarrje.
Kështu që kjo situatë e cila mund të ishte rregulluar me kohë në sajë të një dialogu midis të dy palëve në parlament dhe përmirësimit apo saktësimit të legjislacionit ka mbetur ende e tillë.

Endri Xhafo: A po shkojmë te precedenti “Llalla” ku kujtoj se ju në cilësitë e Presidentit në një farë mënyre e mbrojtët atë përballë përplasjeve që kishte me ish-Ambasadorin Lu asokohe?

Presidenti Meta: Mund të them se në atë kohë Prokuroria ka zbatuar në mënyrën më perfekte ligjet që i kishte bërë Parlamenti për këtë çështje dhe e vetmja kandidaturë praktikisht ka qenë ajo kandidaturë që plotësonte këtë kriter. Ashtu sikurse e thashë edhe më parë, që legjislacioni ekzistues ka disa probleme për të pasur vërtetë një situatë të qartë dhe të pastër ligjore, pasi lë edhe mundësi për interpretime të ndryshme nga institucione të ndryshme që kanë të drejtën për të bërë propozime për KED-në.

Endri Xhafo: A është momenti të ndryshohet?

Presidenti Meta: Momenti ka qenë me kohë, që atëherë, sepse çdo gjë duhet të jetë në mënyrën më të qartë ligjore pa hapësirë për interpretime të ndryshme nga kushdo, por në çdo rast Presidenti nuk mund të ndërmerrte një iniciativë e cila mund të krijonte debate duke qenë se është një situatë jo shumë e qartë ligjore, prandaj edhe ia kemi kaluar këtë gjë Kuvendit, pasi është institucioni më i lartë dhe ligjvënës në vend dhe mund të bëjë interpretimin më të përshtatshëm të kësaj situate.
Endri Xhafo: Kam përshtypjen që ngërçi nuk është vetëm për KED-në por është për të gjitha institucionet e drejtësisë. Ju keni propozuar zonjën Vitore Tusha për postin e Kryetarit të KLSH-së, por zonja Tusha është gjithashtu dhe kandidate për KED…

Presidenti Meta: Nuk kemi të bëjmë me një ngërç në rastin konkret, kemi të bëjmë me keqinterpretim të një situate, ku zonja Tusha nuk ka asnjë lidhje me mosfunksionimin e KED-së deri tani. Kjo është një përgjegjësi e dikujt tjetër apo e aktorëve të tjerë, të cilët duhet ta kishin mbledhur KED-në , por dhe duhet ta kishin vënë në lëvizje për të përmbushur detyrimet e saj, që nga çështja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese edhe institucioneve të tjera, për të cilat ajo ka përgjegjësi.

Endri Xhafo: Propozimin tuaj për zonjën Tusha, si e shihni?
Presidenti Meta: Propozimi im mendoj ka qenë më i miri i mundshëm për të gjitha arsyet që kanë të bëjnë me kriteret sipas vlerësimit tim, që duhet të ketë një drejtues i KLSH-së në këtë situate që e forcon pavarësinë e këtij institucioni. Mos harrojmë që ky është institucioni që bën auditimin e institucioneve të tjera publike në vend dhe zonja Tusha e ka kaluar ‘vetting-un’ e saj me sukses.

Endri Xhafo: Si do të jetë fati i propozimit të Presidentit?

Presidenti Meta: Kjo nuk është një përgjegjësi e Presidentit. Presidenti ka përgjegjësi për përzgjedhjen. Mendoj që përzgjedhja është shumë e mirë, për të gjithë këto elementë që unë i thashë; për shkak të eksperiencës, përvojës, ‘vetting-ut’ që kjo zonjë e ka kaluar dhe për shkak se asnjëherë s’ka pasur angazhim të njëanshëm politik, partiak, administrativ, e me radhë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN