Shqipëria në Euro 2020, verdikti i legjendave

E ndërsa Christian Panucci premton betejë drejt Euro 2020, legjendat e së kaluarës, analizojnë grupin e Shqipërisë. Foto Strakosha dhe Edvin Murati skanojnë kundërshtarët e kualifikueseve dhe shprehen optimist për shanset e Kombëtares.

“Vit për vit në grup me Francën, kur hidhet shorti unë shkoj e falem. Mendoj që Franca është e para e grupit, megjithëse futbollit asnjëherë nuk i dihet. Ndërkohë mendoj se Shqipëria ka rreth 40 përqind shanse, por edhe Islanda e Turqia nuk duhen nënvlerësuar”, tha për A2 News, Edvin Murati, ish-lojtar i Kombëtares.

I larguar si një legjendë, Strakosha la trashëgimtarin e denjë në portë, Thomain dhe, me synimin që mbetet përsëritja e mrekullisë.

“Nuk mendoj se në këto momente ekipit kombëtar i nevojitet kaq shumë një kapiten sesa dëshira e të gjithëve nga brenda dha nga jashtë që t’i japim kurajo dhe energji pozitive që të përsërisim rezultatin që na bëri krenar. Është e vështirë, por çdo gjë arrihet”, tha Foto Strakosha, ish-kapiten i Kombëtares.

Murati dhe Strakosha e pranojnë se në letër beteja do të jetë për vendin e dytë dhe me gjithë garën e vështirë, besojnë se Shqipëria mund t’ia dalë mbanë.

“Është e vështirë, por arrihet. Në eliminatoret e fundit ishim në një grup me 5 ekipe dhe tashmë jemi me 6 ekipe. Tashmë kemi në grup edhe Moldavinë dhe Andorrën dhe kemi shanse të mëdha, por duhet të jemi seriozë”, tha Murati.

“Nuk kemi marrë rezultate të mira kohët e fundit, por duhet të jemi optimist dhe të gjithë të bëjnë sa më mirë punën që i takon”, shprehet Foto.

Kualifikueset e Shqipërisë në Euro 2020 nisin më 22 mars 2019 me ndeshjen ndaj Turqisë në shtëpi, me edicionin që mbyllet më 19 nëntor me sfidën ndaj Francës.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN