“Venecia”, Manja e Bylykbashi “përplasen” në A2 News

Mazhoranca dhe opozita e lexojnë sipas këndvështrimit të tyre raportin e Venecias. Për A2 News, Ulsi Manja, kreu i komisionit të ligjeve deklaron se tashmë ligji i dekriminalizimit po jep rezultatet e tij, ndërsa Oerd Bylykbashi, deputeti i PD, thotë se Venecia pranon se mazhoranca është e lidhur me krimin.

Venecia është shprehur qartë. Nisma e opozitës për ndryshime kushtetuese nuk vjen në një vakum ligjor. Venecia në opinionin e saj paraprak citon opozitën kur flet për një situatë shqetësuese të lidhjes së politikanëve me krimin, apo kontakteve me krimin. Në fakt, opozita harron kur ne kemi dhënë të gjithë vullnetin e duhur, bëmë ndryshimin e kushtetutës kur miratuam ligjin e dekriminalizimit”, u shpreh Ulsi Manja.

Për Bylykbashin, Venecia i ka vënë vulën qeverisë për lidhje me krimin në nivelet më të larta.

“Qëllimi është legjitim dhe ka nevojë për t’u suplementuar me ligj dhe kjo është gjëja më normale, të gjithë ne presim që të vazhdojmë më tej punën. Të gjitha çështjet që shtron Komisioni i Venecias, janë absolutisht të zgjidhshme nga aspekti teknik, më e rëndësishme është pjesa politike. Asnjë shqiptar nuk pranon që politikanët të jenë të lidhur me krimin dhe Komisioni i Venecias e ka konstatuar këtë fakt”, tha Oerd Bylykbashi.

Ajo që Komisioni i Venecias ka thënë është pikërisht kjo: Aktualisht për shkak të rrethanave në të cilat ndodhet Shqipëria dhe për shkak se të gjitha palët pranojnë se ka një problematikë ekzistuese të lidhjes mes politikës dhe krimit është përfshirja e një procesi specifik i verifikimit të zyrtarëve. Kërkesa dhe propozimi është legjitim. Kjo do të thotë se Venecia ka pranuar standardin kushtetues që ne kemi propozuar me amendamentet tona kushtetuese”, tha Gazment Bardhi.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN