Briken Calja, “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Briken Calja është një nga peshëngritësit shqiptarë më të suksesshëm të viteve të fundit dhe arritjet e tij janë vlerësuar ditën e sotme edhe nga Presidenti i Republikës.

Ilir Meta e dekoroi peshëngritësin Calja me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”: “Për rezultatet e shkëlqyera si ‘Kampion i Europës’ në sportin e Peshëngritjes, duke shpalosur vlera të larta të një sportisti të talentuar; i suksesshëm në arenën kombëtare e ndërkombëtare”.

Brikeni u shpall kampioni më i ri i Europës në peshëngritje, pasi shkëlqeu në turneun e Bukureshtit. Tre medalje të arta erdhën vetëm nga sportisti ynë, kampion i trefishtë kontinental dhe rezultat historik për vendin tonë. Peshëngritësi nga Shtërmeni që mban titullin Kampion i Europës ka një kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm për rezultatet e larta sportive, si në nivel kombëtar ashtu dhe ndërkombëtar, por mbi të gjitha ka vlera dhe merita të paçmuara në lartësimin e identitetit dhe promovimin e imazhit tonë kombëtar. Briken Calja, tashmë ka zënë një vend të rëndësishëm në plejadën e sportistëve më të talentuar dhe më të suksesshëm të vendit tonë”, tha Meta në fjalën e tij.

Ndërsa peshëngritësi theksoi se në radhë të parë ky titull është për sportin. “Do të doja të falënderoj ish-ekipin tim të Shtërmenit, që më ka sjellë këtu ku jam sot! Gjithashtu do të doja të falenderoja familjen time dhe të gjithë njerëzit që më kanë mbështetur e më kanë sjellë në këtë rrugë, që kam pasur duke ia dalë të jem Kampion i Europës”, tha peshëngritësi.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN