Dueli direkt i Superiores shpërblen kuksianët, Shehi: Dhembjen e kthejmë në forcë

Kukësi vazhdon ecurinë pozitive dhe rikthehet në garën për titullin kampion në Kategorinë Superiore. 

Aq mjaftoi që Kukësi të vazhdojë rrugët drejt zonës së lartë të renditjes, me veri-lindorët që ngjiten përkohësisht në vendin e tretë, ku barazojnë me pikë Skënderbeun.

Skuadra e drejtuar nga Armando Cungu fitoi 1-0 përballë Skënderbeut, në ndeshjen që hapi javën e 16 të Kategorisë Superiore. Takimi u vendos nga goli i realizuar me 11-metërsh nga William Cordeiro.

Për korçarët vazhdon kriza e rezultateve, me skuadrën e Shehit që pësoi humbjen e dytë me radhë.

Pas ndeshjes, humori në të dy kampet ka qenë i ndryshëm. Te Kukësi, trajneri Armando Cungu është shprehur i kënaqur për paraqitjen dhe rezultatin, ndërsa te Skënderbeu, trajneri Orges Shehi e cilëson të pamerituar humbjen.

Trajneri  i Kukësit Armando Cungu

“Fitorja është gjithmonë e bukur por kur arrin ndaj rivaleve bëhet akoma më e bukur. Shfrytëzuam momentin e mirë që po kalon ekipi kohët e fundit”, komentoi i kënaqur trajneri Cungu.

Tjetër ishte humori i Orges Shehit. “Sigurisht nuk është moment i mirë, edhe pas humbjes në shtëpi, performancat janë të mira por nuk po marrim rezultat. Na dhemb, por duhet kthejmë dhembjen në forcë”, pohoi ish kapiteni dhe tashmë trajneri i korçarëve.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN