Haradinaj: Taksa 100% nuk do të jetë e vetmja masë ndaj Serbisë

Ramush Haradinaj premtoi se Kosova do të ndërmarrë edhe masa të tjera ndaj Serbisë, si kundërpërgjigje ndaj qasjes së kësaj të fundit kundrejt rrugëtimit të Kosovës. “Taksa 100% nuk do të jetë e vetmja, ky nuk është maksimumi që do të bëjmë”, u shpreh Haradinaj në emisionin “I Ftuari” të Endri Xhafos në A2. “Taksa ndaj Serbisë nuk i ka shkaktuar dëme biznesit në Kosovë”.

I pyetur nëse do të ketë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë sipas shembullit franko-gjerman, Haradinaj tha: “Mes Kosovës dhe Serbisë do të ketë një kontratë gjithëpërfshirëse ku do të përcaktohen të gjitha çështjet. Por korrigjimi i kufijve nuk është pjesë e kësaj pakete. Serbia ka pasur gjithmonë ide për ndarjen e Kosovës, por në veri nuk do të ketë skenar ukrainas”. Sa i përket formimit të Gjykatës Speciale, Haradinaj tha se ajo nuk i frikëson anëtaret e UÇK, madje do t’i bëjë ata edhe më të fortë. “Kjo do të jetë hera e pestë që trajtohet çështja e UÇK dhe rolit të luftëtarëve të lirisë”, u shpreh Kryeministri i Kosovës. “As unë as vëllai im Dauti nuk i ndruhemi akuzave. Nëse ne do të ishim anëtarë të Interpol nuk do të lëshonim mandat-arresti për serbët”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN