Lamtumira e Merkel, CDU zgjedh lideren e re – A2

Lamtumira e Merkel, CDU zgjedh lideren e re

Partia në pushtet në Gjermani, Unioni Kristian-Demokrat zgjodhi Annegret Kramp-Karrenbauer si lideren e re, por Angela Merkel do të vazhdojë të jetë Kancelare deri në fund të mandatit 4-vjeçar, në vitin 2021.

Sekretarja e përgjithshme e CDU-së, Kramp-Karrenbauer siguroi 517 nga 999 votat e delagtëve të partisë. Ajo mundi bindshëm rivalin kryesor, avokatin milioner Friedrich Merz, i cili grumbulloi 482 vota në kongresin e partisë. Si lidere e partisë më të madhe në vend, Ms Kramp-Karrenbauer mund të bëhet Kancelarja e ardhshme e Gjermanisë.

Më herët Merkel mbajti një fjalim emocionues lamtumire për partinë që e drejtoi për 18 vite. “Pas kapërcimit të sfidave të panumërta, Unioni Kristian Demokrat, është edhe më i vendosur të tregojë se në kohë të vështira ne mbrojmë me vendosmëri mënyrën tonë të jetesës, vlerat tona liberale dhe interesat brenda e jashtë vendit”, tha Merkel.

“Tani është koha të hapim një kapitull të ri. Sot, në këtë moment, unë jam e mbushur me një ndjesi kryesore… mirënjohje. Ka qenë një kënaqësi, një nder i madh… Ju falënderoj”.

Pas ovacioneve që zgjatën më shumë se 6 minuta, e thirrjeve të tilla si “faleminderit shefe”, delegatët e CDU-së i bënë homazh 64-vjeçares me një video që tregonte momente kryesore te lidershipit 18-vjeçar.

Shkarkoni aplikacionin e A2