Nisma e re, zonë e lirë ekonomike në Tiranë

Pasi Qeveria dështoi me zonat e lira ekonomike, është Bashkia e Tiranës që sfidon me një nismë të tillë.

Gjatë Forumit Ekonomik të Tiranës, kryetari i Bashkisë, Erjon Veliaj deklaroi se projekti i zonës së parë ekonomike në kryeqytet është në fazë të avancuar dhe do të bëhet në Kashar.

“Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me qeverinë shqiptare kanë identifikuar një hapësirë rreth 80 hektarë në zonën e Kasharit, për ta kthyer në një zonë të lirë ekonomike të Tiranës. Jemi në fazën ku po marrim të drejtat mbi pronën dhe po bëjmë të gjithë legjislacionin që të licencohemi si një autoritet i cili ka një zonë të lirë ekonomike. Për të gjitha kompanitë që e kanë pasur dhimbje koke ekspansionin në Shqipëri për shkak të problemeve me pronat, ky është një lajm i mirë”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë prezantoi sot nismën e zonë së lirë ekonomike në Kashar

Kryebashkiaku deklaroi që zona e lirë nuk do të ketë si objektiv primar fasoneritë e tekstileve ose këpucëve, por ato të teknologjisë, automotive etj.

Veliaj ka shpallur edhe një tjetër nismë. Duke ndjekur modelin e kompanisë së pastrimit, Eko Tirana, kreu i bashkisë ka deklaruar se është gati projekti për një shoqëri të tillë edhe në fushën e transportit, ku privati do të jetë aksioner.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN