Zgjidhen anëtarët e rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi – A2

Zgjidhen anëtarët e rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi merr formë, pas shortit të hedhur vetëm pak minuta më parë. Gjithsesi nga 9 anëtarë që parashikon Kushtetuta, ditën e sotme u zgjodhën vetëm 8, për shkak se Prokuroria e Apelit nuk kishte sjellë mjaftueshëm kandidatura.

Kështu, nga Gjykata Kushtetuese u zgjodhën pa short Vitore Tusha dhe Bashkim Dedja, ndërsa nga Gjykata e Lartë Ardian Dvorani. Ky i fundit ishte edhe më i kundërshtuari nga opozita, e cila e konsideron si të korruptuar.

Nga Prokuroria e Përgjithshme u zgjodh pa short Kryeprokurorja e përkohëshme Arta Marku, ndërsa po pa short u zgjodh edhe Fationa Mençe nga Prokuroria e Apelit. Nga Gjykata e Apelit dy emrat e përzgjedhur janë Margarita Buhali dhe Fatri Islamaj, ndërsa Erio Roshi është i zgjedhur nga Gjykata Administrative.

Kompetencat e KED

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka një rol kyç sipas Kushtetutës, pasi është institucioni që do të bëjë listimin e kandidatëve për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Prokuroria e Përgjithshme dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive do të bëjnë “vetting”-un e kandidatëve dhe më pas do të jetë KED që do të dërgojë listën në Kuvend për t’u votuar. Sipas shumicës Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale në mars.

Shkarkoni aplikacionin e A2