Basha: Vetting ose rrëzohet Kuvendi, studentët filluan Dhjetorin e Dytë

Dita e Rinisë, 8 dhjetori, dedikuar Lëvizjes se Studentëve që solli rrëzimin e regjimit komunist, është kujtuar sot nga demokratët në Qytetin Studenti, aty ku nisi vala e demokracisë, 28 vjet me parë.

Kryetari i PD Lulzim Basha dhe lideri historik Sali Berisha “bekuan” ditën e sotme si një 8 Dhjetor të dytë, duke iu referuar protestës së studentëve para Ministrisë së Arsimit. Paralelizmin i pari e bëri kryetari i PD-së.

“Njësoj si studentët e dhjetorit të parë! Edhe ata e nisën me një kërkesë të drejtë ekonomike, por shpejt e kuptuan dhe po e kuptojnë, që ato ishin vetëm simptomat e një sistemi të kalbur i cili duhet çmontuar deri në themele dhe rrëzuar me çdo kusht”, deklaroi Lulzim Basha përballë të pranishmëve.

Pamje nga ceremonia

Berisha vazhdoi në të njëjtën linjë. “Sot prej katër ditësh kemi një dhjetor të dytë. Si asnjë herë tjetër, universitetet e vendit kanë filluar një betejë e vendosur kundër një regjimi që quhet kakistokraci, nga greqishtja më i keqi i të këqijve, pra regjimi i Edi Ramës”.

Kryeopozitari Basha u drejtua me një ton ultimativ ndaj mazhorancës, për të pranuar vettingun e Kuvendin, ndryshe ai përsëriti disa herë se Kuvendi do të rrëzohet.

Drejtues të PD, ish studentë të dhjetorit dhe të rinj demokratë vendosën kurora me lule në memorialin dedikuar liderit të lëvizjes së dhjetorit, Azem Hajdari.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN