Ceremonia për Kacifas, masa të shtuara nga policia në Bularat

Policia e Gjirokastrës ka dhënë leje për zhvillimin sot të një tubimi paqësor që kujton të 40-at e Konstandinos Kacifas, i cili u vra nga forcat Renea në Bularat.
Kacifas, u vra pas disa orëve që qëllonte me armë në drejtim të forcave të policisë shqiptare më 28 tetor.

Nga të dhënat paraprake pritet që 4 autobusë të vinë nga Greqia. Pritet për t’u parë reagimi i policisë shqiptare në kufi, dhe nëse do të tentojnë të kalojnë kufirin persona non grata.

Gjithsesi, sipas dëshmive, ka pasur kthime masive të shtetasve grekë që kanë dashur të hyjnë në territorin shqiptar.

Një tjetër tubim paralel është paralajmëruar ndërkohë nga shqiptarët para konsullatës greke. Kujtojmë se gjatë këtyre 40 ditëve 4  janë shqiptarët që kanë humbur jetën në Greqi.

Kunati i Kacifas: Ne kemi flamurin tonë, ju tuajin, por duhet të bashkëpunojmë

Në Bularat ka folur për mediat edhe kunati i Kacifas. Ai tregoi për problemet qe hasën me kthimin mbrapsht të disa personave në kufi, ndërsa bën thirrje për bashkëpunim mes dy vendeve.

“Unë personalisht nuk kisha asnjë problem, por kishin problem disa të tjerë. 8 nga 10 persona u kthyen mbrapsht”, tha Evangelis Sakellarakis.

“Unë e kuptoj që ne të dyja anët e kufirit ekzistojnë njerëz që nuk e duan miqësinë mes dy popujve. Por unë kam një mesazh për të gjithë: E ardhmja jonë është Europa. Ne duhet të bashkëpunojmë. Ne të kemi flamurin tonë, ju të keni flamurin tuaj, ne të kemi besimin tonë, ju të keni besimin tuaj.

Por ama duhet ta shikojmë veten të lidhur bashkë dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Është e vërtetë që kemi dëgjuar parulla kundër të dy palëve, por duam që t’i ndalojmë ato”.

Shkarkoni aplikacionin e A2