The Independent: Shqipëria publikon të dhëna sensitive për “spiunët” e saj – A2

The Independent: Shqipëria publikon të dhëna sensitive për “spiunët” e saj

Gazeta britanike “The Independent” shkruan se Shqipëria publikon informacione sensitive për operativët e shërbimit informativ në internet, duke zbuluar detaje si identiteti, makinat që përdorin, rolet operacionale, udhëtimet dhe zakonet e përditshme.

Të dhënat mbi rrogat dhe shpenzimet e operativëve janë publikuar në faqen online të Ministrisë së Financave dhe në to mund të gjesh të dhëna të shumta mbi Shërbimin Informativ Shtetëror, përfshi edhe vendet ku ndodhen agjentët e terrenit, tërheqjet e parave që kanë realizuar, e shumë të dhëna të tjera.

Por ajo që ka shqetësuar më tepër të përditshmen britanike është se në këtë listë janë edhe dy oficerë që veprojnë në zyrat qendrore të NATO-s në Bruksel, por edhe agjentëve të tjerë që operojnë në fshehtësi në Belgjikë, Greqi, Kosovë, Itali, Maqedoni dhe Serbi.

Listë pagesash, e publikuar online nga Ministria e Financave

“Rregulli është që operacionet tona janë të fshehta, por nuk mund të shpenzojmë para pa raportuar se për çfarë”, thotë një zyrtar i SHISH për “The Independent”.

Por sipas një eksperti të sigurisë, këto të dhëna rrezikojnë të shkërmoqin sistemin e gjithë aleancës, pasi janë një pikënisje tepër e mirë për hakerat e shërbimeve kundërshtare. Një ish agjent i CIA-s tha se kjo është një katastrofë burokratike që mund të vërë në rrezik jetët e njerëzve.

“Buxhetin mund ta publikosh online, por jo emrat dhe detajet e agjentëve, kjo është çmenduri”, u shpreh ai, në kushte anonimati për “The Independent”.

Në një prej listave tregohet fatura e ujit që paguan zyra e SHISH në Himarë, me vlerën që bie mbi 95%, çka tregon se operativët kanë lëvizur prej andej. Madje edhe një tërheqje bankare e realizuar më 3 dhjetor, ishte publikuar online brenda fundit të ditës.

Sipas “The Independent”, pasi kjo e fundit njoftoi Kryeministrinë, Ministrinë e Jashtme, të Brendshme, të Mbrojtjes dhe të Financave, institucionet janë zotuar të fshijnë të dhënat nga sistemi online, por për sa kohë që ato kanë qëndruar aty kanë qenë një burim i mirë dhe i lirë informacioni për shërbimet e tjera inteligjente.

Shkarkoni aplikacionin e A2