Milan shpërdoron shumë, vetëm barazim kundër Torinos

Milani shpërdoron një mundësi të artë për t’iu afruar Interit në renditje, pasi u ndal në një barazim pa gola nga Torino në “San Siro”. Madje, miqtë largohen edhe me ndonjë peng nga Milano pasi kishin mundësi edhe ta fitonin ndeshjen.

Në pjesën e parë, torinezët nisin të luajnë fort, por Donnarumma tregohet fantastik në disa momente, sidomos kur largoi mbi traversë një goditje me kokë nga Iago. Edhe Belotti dhe Izzo patën disa mundësi shënimi, ndërsa nga ana tjetër e fushës, Sirigu arriti të frenonte Cutronen dhe Higuainin, ky i fundit shpërdoroi dy raste të mira.

Ritmi bie ndjeshëm në pjesën e dytë. Torinos i mbaron shpejt “benzina” ndërsa Milani shpërdoron një rast të shkëlqyer me Cutronen vetëm 3 minuta nga fundi. Para vërshëllimës finale gjyqtari Orsato përjashton nga fusha trajnerin e Torinos Mazzarri për protesta.

Me këtë rezultat, Milani shkon në kuotën e 26 pikëve, 3 më pak se fqinjët zikaltër. Në përfundim të javës së 15-të të kampionatit italian, Juventus kryeson me 43 pikë, i ndjekur nga Napoli me 35.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN