OSBE: Luftoni korrupsionin, reforma në drejtësi kyçe

Ambasadori i OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt në një intervistë për A2 News flet për betejën e Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit dhe mekanizmat që duhet të përdorë Shqipëria për të fituar këtë betejë. Sipas ambasadorit, reforma në drejtësi është kyçe në betejën kundër korrupsionit.

A2: Z. Ambasador, më së pari faleminderit që pranuat të jeni në këtë intervistë të parë për “A2 News”.

Ambasadori Borchardt: Është kënaqësi!

A2: Z. Ambasador, në Raportin për Perceptimin e Korrupsionit të 2017-s, për fat të keq Shqipëria shënoi hapa mbrapa. Cilat vlerësoni ju se kanë qenë shkaqet që çuan në këtë regres?

Ambasadori Borchardt: Për të qenë i drejtë, dua ta vendos në perspektivë. Pas vitit 2013, qeveria bëri përpjekje të forta për të luftuar korrupsionin dhe kjo çoi në përmirësim të qartë të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, deri në vitin 2016. Në vitin 2017, pati përkeqësim; jo shumë, por pati. Dhe, më e keqja është se një gjë e tillë u pohua edhe nga anketa “Besimi në Qeverisje”, e cila financohet gati çdo vit nga PNUD-i. Kjo e fundit tregoi se numri i qytetarëve shqiptarë që e kishin përjetuar vetë korrupsionin ishte rritur me 4-6%. Të dyja këto janë indekse të rëndësishme, dhe ato tregojnë se njerëzit perceptojnë më shumë korrupsion. Në veçanti, indeksi i “Transparency International” respektohet gjerësisht në rrafshin ndërkombëtar dhe po t’i marrim të dyja indekset bashkë, mund të them se i kuptoj qytetarët shqiptarë që kanë perceptim të tillë. Nga njëra anë, ata dëgjojnë slogane politikë, akuza dhe deklarata për korrupsion në shkallë të gjerë, dhe këto bëhen më të besueshme për veshët e tyre si pasojë e përvojës vetjake; dhe numri i tyre që po përjetojnë kryesisht korrupsion të nivelit të ulët po rritet.

A2: Z. Ambasador, në gjykimin tuaj, çfarë hapash duhet të marrë qeveria shqiptare për të luftuar korrupsionin? Ju përmendet pak më herët një seri mekanizmash, por çfarë të tjerash duhen marrë?

Ambasadori Borchardt: Disa gjëra janë bërë; krijimi i Task Forcës kundër Korrupsionit, krijimi i portaleve Stop Korrupsionit dhe Shqipëria që Duam. Ka ende shumë për të bërë. Qytetarët dhe ne dëgjojmë që rreth 30% të prokurimeve me fonde publike kryhen jashtë sistemit të prokurimeve. Një gjë e tillë nuk e rrit besimin. Cilido qoftë justifikimi për secilin rast të veçuar, një gjë e tillë nuk e rrit besimin. Vetëm pak ditë më parë, Kontrolli i Lartë i Shtetit botoi gjetjet e tij, që flisnin për humbje të mëdha në buxhetin e shtetit për arsye të shkeljeve financiare. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rekomanduar shumë herë që Shqipëria të krijojë një agjenci kundër korrupsionit që të jetë e pavarur nga qeveria, si në Itali dhe në shumë vende të tjera. Ky është edhe rekomandim i OSBE-së. Një nismë e tillë do të ishte hap përpara për krijimin e besimit. Përmenda portalin Stop Korrupsionit. Ne e kemi mbështetur këtë portal në të shkuarën. Ai çoi në një numër domethënës veprimesh disiplinore dhe disa raste shkuan edhe në prokurori. Atje qytetarët mund të denonconin. Aktualisht, qeveria po administron portalin Shqipëria që Duam, i cili nuk është krijuar vetëm për të trajtuar korrupsionin, por edhe ankesa të tjera ndaj sektorit publik në përgjithësi. Ne i kemi rekomanduar qeverisë që të kryejë një shqyrtim të pavarur të sistemit, për ta bërë atë më të mirë. Tashmë u bë një vit që nga ngritja e këtij sistemi dhe ka kuptim të shqyrtohet funksionimi i tij dhe të punohet për ta bërë atë edhe më efikas. Pastaj, çka me shumë gjasa është më e rëndësishmja në lidhje me perceptimin, ndodhemi në atë fazë të procesit të vetting-ut ku mund të krijohen institucionet e reja të drejtësisë dhe shumë shpejt do të jetë i mundur krijimi i prokurorisë së posaçme SPAK dhe i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Me shpresë, kjo mund të çojë më vonë në dënime të nivelit të lartë. Një gjë e tillë patjetër që do të ndryshonte perceptimin e publikut të gjerë, si edhe atë ndërkombëtar. OSBE-ja vijon të jetë e gatshme të mbështesë qeverinë në këtë përpjekje.

A2: Ju përmendët pak më herët disa nga mekanizmat e reformës në drejtësi. Sa mendoni ju se do të ndikojë reforma dhe kur i prisni realisht rezultatet në luftën ndaj korrupsionit falë kësaj reforme?

Ambasadori Borchardt: Mendoj se reforma në drejtësi është hapi kyç. Ajo është vërtet thelbësore. Shumë njerëz, shumë miq që kam këtu, shoqëria civile dhe njerëz që merren me çështjet e korrupsionit nuk kanë besim te sistemi i drejtësisë. Ata kanë bindjen se nuk ka kuptim të çojnë raste në prokurori, pasi asgjë nuk do të ndodhë. Pas një reforme të mirëfilltë, pas finalizimit të vetting-ut, pasi të gjithë gjykatësit dhe prokurorët me pasuri të pashpjegueshme të kenë ikur, respekti dhe besimi në sistemin e drejtësisë do të rriten dhe kjo do të çojë po ashtu në më shumë padi, në më shumë raste që do t’i paraqiten sistemit të drejtësisë. Jam shumë optimist për këtë. Sa u takon çështjeve të mëdha, të ashtuquajturit peshq të mëdhenj për të cilët fliste ish-ambasadori amerikan, janë veçanërisht Byroja Kombëtare e Hetimit dhe prokuroria e posaçme SPAK që do të duhet të merren me to.

A2: Z. Ambasador, përvese korrupsionit në administratë dhe në nivel qendror apo vendor, Shqipëria po përballet, gjithashtu, edhe me korrupsionin zgjedhor. Çfarë duhet të bëjmë ne për ta fituar këtë betejë? Jemi rreth 6 muaj përpara zgjedhjeve të ardhshme.

Ambasadori Borchardt: Rekomandimet e raporteve të OSBE/ODIHR-it kanë qenë gjithmonë të qarta për shitblerjen e votës, për korrupsionin zgjedhor, siç e quajtët ju. Rekomandimet janë: të niset një fushatë ndërgjegjësuese shumë e fortë; së dyti, më shumë veprim nga prokuroria; së treti, një angazhim shumë i qartë nga partitë. Por edhe qytetarët mund të bëjnë diçka. Për shembull, nëse më vjen dikush në shtëpi që kërkon të blejë votën time dhe unë jam plotësisht kundër kësaj – shumë njerëz kanë telefona të mençur – unë thjesht shtyp butonin e regjistrimit dhe pastaj e çoj këtë regjistrim ose në polici ose, nëse nuk kam besim te policia, te vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve.

A2: Cili është roli i shoqërisë civile në luftën kundër korrupsionit?

Ambasadori Borchardt: Shoqëria civile luan një rol qendror në këtë kontekst dhe mendoj se shoqëria civile në Shqipëri mund të bëjë më shumë. Hera e parë që kam shërbyer këtu në vendin tuaj ishte para më shumë se dhjetë vjetësh dhe, asokohe, shoqëria civile ishte shumë më aktive. Në kujtesën time ende shoh njerëzit që merrnin pjesë në protesta të mëdha. Tani studentët po protestojnë, pasi preken nga ato që ata i quajnë tarifa të rritura. Në të kaluarën, njerëzit protestonin kundër korrupsionit, pasi prekeshin prej tij. Shoqëria civile mund të bëjë shumë duke monitoruar, duke ndjekur rastet, duke akuzuar dhe turpëruar, sikurse thuhet, duke identifikuar proceset ku ka korrupsion. Të gjitha këto, në perceptimin tim, bëhen shumë më pak se dhjetë vjet më parë.

Shkarkoni aplikacionin e A2