Pedagogu Marka flet për A2 News: U sulmuam nga huliganë të partive politike

Në ndryshim nga 4 ditët e tjera të protestës, sot protesta e studentëve u tensionua në momentin kur pedagogu Jani Marka kërkoi të fliste.

Studentët nuk e lejuan një gjë të tillë, duke e larguar pedagogun, ndërsa u shprehën se protesta nuk duhet të politizohet dhe ata të mos përçahen.

Ndërkohë, pedagogu Jani Marka foli për A2 News duke u shprehur se nuk është sulmuar nga studentët, por nga huliganë të dhunshëm të partive politike.

“Prej vitesh, ne jemi të parët që luftojmë për të drejtat e studentëve. Sot, huliganë të dhunshëm u ngritën ndaj meje, por jo vetëm. Ne jemi aktivistë, studentë pedagogë që luftojmë për të drejtat e studentëve”, u shpreh Marka.

Sa i përket akuzave të studentëve se janë kërcënuar me jetë, Marka u shpreh se një gjë e tillë është absurde.

“Një pedagog nuk mund të kërcënojë as me notë e jo më me jetë. Më duket absurde. Ndershmërinë tonë e kemi të provuar me aktivitetin tonë deri sot”, tha ai.

Ai tha më tej se “studentët duhet të mendojnë në mënyrë kritike dhe të mos ketë eksponentë të dhunshëm të partive. Ne do të vazhdojmë të marrim pjesë në këtë protestë, ne kemi njëri-tjetrin dhe nuk kemi frikë”, tha ai për A2 News.

Shkarkoni aplikacionin e A2