Rama fton studentët për dialog në Facebook

16:00 – Rama fton studentët për dialog

Kryeministri Edi Rama i ftoi studentët për dialog të cilin ka propozuar ta zhvillojë live në Facebook ditën e hënën në orën 11:00. Në postimin e tij në Facebook ku njoftoi këtë ftesë kundret studentëve që protestojnë për të pestën ditë, shumë komentues i kanë kërkuar që të plotësojë kushtet, të cilat i bënë publike disa orë më parë, përmes një letre drejtuar institucioneve më të larta në vend.

FTESA IME

Gepostet von Edi Rama am Sonntag, 9. Dezember 2018

Në letrën drejtuar Kuvendit, Kryeministrisë, Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, por edhe universiteteve publike në vend, studentët kanë parashtruar 8 kërkesa.

13:00 – Edhe studentët e Akademisë së Arteve në protestë

Në mesditë, studentëve të shumtë pranë Ministrisë së Arsimit, përveç studentëve të Shkodrës u janë bashkuar edhe studentët e Akademisë së Arteve, të cilët kanë dërguar në protestë edhe një foni qendrore. Tashmë studentët do të kenë mundësinë të mos bëjnë më kakofoni, por të flasin nga fonia qendrore.

Ata deklarojnë se do të qëndrojë deri rreth orës 18:00.

Ndërkohë, gazetarja e A2 News, Elona Gjylmi ka kontaktuar me ministren Nikolla, por nuk ka pasur një reagim nga ana e saj, por nga përfaqësues të ministrisë mësohet se ditën e sotme nuk do të ketë një reagim në lidhje me situatën.

Ora 12:00 – Pedagogu Marka flet A2 News: U sulmuam nga huliganë të partive politike

Në ndryshimnga 4 ditët e tjera të protestës, sot protesta e studentëve u tensionua në momentin kur pedagogu Jani Marka kërkoi të fliste.

Studentët nuk e lejuan një gjë të tillë, duke e larguar pedagogun, ndërsa u shprehën se protesta nuk duhet të politizohet dhe ata të mos përçahen.

Ndërkohë, pedagogu Jani Marka foli për A2 News duke u shprehur se nuk është sulmuar nga studentët, por nga huliganë të dhunshëm të partive politike.

“Prej vitesh,ne jemi të parët që luftojmë për të drejtat e studentëve. Sot, huliganë të dhunshëm u ngritën ndaj meje, por jo vetëm. Ne jemi aktivistë, studentë pedagogë që luftojmë për të drejtat e studentëve”, u shpreh Marka.

Sa i përket akuzave të studentëve se janë kërcënuar me jetë, Marka u shpreh se një gjë etillë është absurde.   

“Një pedagog nuk mund të kërcënojë as me notë e jo më me jetë. Më duket absurde. Ndershmërinë tonë e kemi të provuar me aktivitetin tonë deri sot”, tha ai.

Ai tha më tej se “studentët duhet të mendojnë në mënyrë kritike dhe të mos ketë eksponentë të dhunshëm të partive. Ne do të vazhdojmë të marrim pjesë në këtë protestë, ne kemi njëri-tjetrin dhe nuk kemi frikë”.

Ora 11:35 – Kërkohet largimi i organizatave nga protesta

Studentët kërkojnë që edhe organizatat të mos përfshihen në protestë, ndërsa anëtarë të Lëvizjes për Universitetin janë shprehur për A2 News se kanë 5 vite që luftojnë për të drejtat e studentëve.

Studentët shprehen se anëtarët e Lëvizjes për Universitetin janë pjesëtarë të partive politike.

Ora 11:25 – Studenti: Pedagogu më kërcënoi me jetë!

Studentët larguan nga protesta pedagogun Jani Marka, i cili tentoi të flasë para studentëve. Për A2 News, studentët u shprehën se pedagogu, Marka, por edhe të tjerë po tentojnë t’i përçajnë, ndërsa shprehen se janë kundër dhunës.

Ndërkohë, njëri prej protestuesve tha për A2 News se është kërcënuar me jetë nga pedagogu dhe theksoi se do ta denoncojë në polici.

Më ka kërcënuar me jetë pedagogu dhe unë do ta denoncojë në polici. Më tha: nuk do ta harrojë këtë gjë. Ne duam thjesht plotësimin e 8 kërkesave dhe asgjë më shumë”, u shpreh studenti.

Ora 11:10 – Që prej orës10:00, kur u mblodhën pranë Ministrisë së Arsimit, vijon protesta e studentëve.

Ata duken të vendosur në kërkesat e tyre, por edhe në mbajtjen larg të politikës nga protesta. Ndërkohë, mes protestuesve ndodhi edhe një incident i vogël, kur pedagogu, Jani Marka, tentoi të fliste mes studentëve,  ai nuk është lejuar ta bëjë një gjë të tillë.

Studentët e larguan pedagogun dhe më pas nisën të thërrisnin: “Jo politikë! Mos u përçani!”

Jani Marka është pedagog te Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, pjesë e Organizata Politike.

Ora 10:00 Ditën e sotme, protestës u janë bashkuar edhe studentët e Shkodrës, të cilët rreth orës 10:00 mbërritën para Ministrisë së Arsimit.

Ata duken të vendosur për të vazhduar protestën e tyre deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

“Lëvizja është madhështore. Ne do të jemi në një linjë me Tiranën deri në fund. Nuk do të dorëzohemi deri në plotësimin e kushteve”, shprehet një student nga Shkodra.

“Ministrja është e detyruar të japë vetëm garanci ligjore, nuk ka negociata”, u shpreh një tjetër.

***

Për studentët tashmë duket se nuk ka më pushim. Edhe pse ditë e diel e me shi, sërish ata kanë paralajmëruar se do të vijojnë edhe ditën e sotme protestën e tyre para Ministrisë së Arsimit.

Një ditë më parë, ata bënë të ditur se protesta do të vijojë, ndërsa do të bashkohen në fakultete në orën 09:30, ndërsa do të grumbullohen para Ministrisë së Arsimit rreth orës 10:00.

Të shtunën, protesta e studentëve për përgjysmim të tarifave dhe përmirësim të kushteve, zgjati deri në orët e pasdites.

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla doli nga zyra e saj duke tentuar të hyjë në mes të turmës, e shoqëruar nga disa truproja dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, por ajo u prit me ovacione dhe ulërima pakënaqësie, çka ka bërë që të tërhiqet sërish brenda godinës për të shmangur tensionin dhe përplasjet. Studentët nuk kanë pranuar negociata, por vetëm zgjidhjen direkte të kërkesave të tyre.

Më herët, të shtunën, studentët nuk pranuan në protestën e tyre as banorët e “Astirit”. Sipas studentëve nuk ka pasur pengim të tyre, por vetëm të përfaqësuesve politikë të cilët duan të jenë të pranishëm në protestë.

Disa prej studentëve protestues thanë për A2 se ata nuk duan të kenë pranë tyre përfaqësues politikë. “Nuk mund të bashkohen dy kauza kundër qeverisë”, tha një prej studentëve. “Banorët po përdoren politikisht. Duhet të na ishin bashkuar që në ditën e parë dhe jo tani”.

Protestës së studentëve të Tiranës prej tri ditësh i janë bashkuar dhe student nga rrethet, në mbështetje të kauzës së tyre. Edhe pse Ministria e Arsimit u tërhoq nga VKM për tarifat e studentëve, këta të fundit kanë shtuar një pikë tjetër në kërkesat e tyre, atë të dorëheqjes së ministres Lindita Nikolla.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN