“S’ka integrim për Serbinë pa progres me Kosovën”

BE

Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë tensionuar gjatë ditëve të fundit dhe kjo sigurisht që ka një ndikim negativ për dy vendet sa i përket procesit të integrimit të tyre në Bashkimin Europian.

Ky fakt është vënë në dukje së fundmi edhe nga ish-ministrja e Integrimeve Europiane në Qeverinë e Serbisë, Suzana Grubjeshiç.

Ajo është shprehur se procesi i integrimit të Serbisë nuk do të përshpejtohet derisa nuk do të ketë progres në dialogun me Kosovën.


Ish-ministrja e Integrimeve Europiane në Qeverinë e Serbisë, Suzana Grubjeshiç

Grubjeshiç, e cila aktualisht është Sekretare e Përgjithshme e Lëvizjes Europiane në Serbi, është shprehur për mediat serbe se ditën e sotme, Beogradi në Bruksel do të hapë vetëm dy kapituj, nga 7 pozicione negociuese të pritura.

“Serbia nuk mund të përshpejtojë procesin e saj të integrimit në BE derisa të mos merren vendime politike në dialogun me Kosovën, të cilat kanë të bëjnë me kapitullin 35 dhe kapitujt 23 dhe 24 që përfshijnë sundimin e ligjit”, tha Grubjeshiç.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN