Protesta nuk ndalet, nesër bashkohen edhe gjimnazistët

Në ditën e gjashtë dhe pas më shumë se pesë orësh, studentët vazhdojnë të qëndrojnë para Ministrisë së Arsimit. Ata duken të vendosur për t’u mos dorëzuar dhe nuk i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryeministrit Edi Rama për dialog.

Gazetarja e A2, Ornela Joti, e cila po ndjek protestën në terren, ka mësuar se nesër protesta do të jetë më e madhe dhe pritet që para ministrisë të vijnë edhe studentë nga universitetet e rretheve por edhe gjimnazistë të shkollave të mesme të Tiranës, kryesisht maturantë.

Ata thonë se iu është ushtruar presion nga drejtuesit e shkollave të mesme, por pritet që bojkoti të shtrihet edhe në këtë nivel të sistemit arsimor. Studentët e cilësojnë monolog daljen publike të Ramës në Facebook, dhe i kanë bërë thirrje që të dalë në shesh dhe jo në rrjetet sociale.

Edhe ditën e nesërme protesta do të nisë si zakonisht në orën 10:00, por sipas asaj që thonë vetë studentët nesër nuk do të ketë afat, pra nuk dihet se kur do të përfundojë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN