River Plate triumfon në “Superclassico”, mposht 3-1 rivalët e Boca Jr.

“Ndeshja e shekullit” e futbollit argjentinas ka dhënë verdiktin e saj. Pas shtyrjeve, incidenteve mes tifozerive, dramës tipike latino amerikane, Amrika e Jugut ka një kampion, dhe ai është River Plate.

Millonarios, siç quhet nga tifozët ekipi nga Buenos Aires, mposhtën me rezultatin 3-1 rivalët e përjetshëm të Boca Junior në një ndeshje që përmblodhi më së miri dramën që karakterizon ndër vite këtë sfidë.

Stadiumi i Santiago Bernabeu në Madrid, ku ekipet u detyruan të luanin pas incidenteve mes tifozerive, Ishte tempulli i denjë i finales të Libertadores, i mbushur plot me tifozë nga e gjithë bota.

Ndeshja filloi me intensitet të lartë dhe nervozizëm nga të dy palët, por u zhbllokua vetën në fund të pjesës së parë falë një kundërsulmi të bukur të Boca Jr, e finalizuar nga Benedetto. Pjesa e dytë flet për Riverin, që gjen barazimin me anë të Prattos në minutën e 66-të.

Për të gjetur emocione të tjera duhet pritur kohën shtesë, ku ndodh vërtet gjithçka.

Boca mbetet në 9 për kartonin e kuq të Barrios, dhe dëmtimin e Gagos, Riveri merr supremacinë dhe gjen avantazhin me një predhë të mesfushorit Quintero.

Boca i lënduar nuk dorëzohet dhe në inferioritet numerik rrezikon disa herë portën e Riverit, duke kapur një shtyllë të pabesueshme në minutën e 118 me Jara, por duke lënë shumë hapësirë kundërsulmit të River që godet sërish me Martinez.

Ndeshja mbaron aty dhe fillon festa në Madrid dhe në një pjesë të Buenos Aires, ndërsa pjesa tjetër nuk i beson syve. 

Për River Plate kjo është fitorja e katërt në Copa Libertadores, por ekipi i trajnerit Gallardo nuk mund të festojë gjatë: Më 18 dhjetor duhet të jetë në Abu Dhabi për Botërorin për klube.

Finalja më e gjatë në histori

River Plate – Boca Juniors është padyshim finalja më e gjatë në histori. Një sfidë e pafundme, e cila u zhvillua mes ngjarjeve dhe episodeve të pazakonta. Plot 29 ditë për të luajtur dy ndeshjet përcaktuese për fitimin e trofeut. Takimi i parë në “Bombonera” ishte parashikuar të luhej më 10 nëntor, por u shty me 24 orë prej reshjeve. Ndeshja e kthimit duhej të luhej më 24 nëntor, por prej dhunës ndaj autobusit të lojtarëve të Boka Juniors fillimisht u shty për një ditë dhe më pas u pezullua, për t’u spostuar në Madrid.

Shkarkoni aplikacionin e A2