Berisha: Protesta e studentëve është një revolucion, Rama i ka kërcënuar

Ish-Kryeministri Sali Berisha, ndër të tjera, në emisionin “I Ftuari” të gazetarit Endri Xhafo, foli edhe për protestën e studentëve, e cila të martën ishte në ditën e shtatë të saj.

Berisha e vlerësoi protestën e studentëve si revolucion, po ashtu si ajo e 28 viteve më parë.

Ngjashmëria ekziston mes të dy revolucioneve. Ai ishte revolucion kundër diktaturës totalitare, ky sot është revolucion kundër kleptokracisë apo kakistokracisë, kakisto do të thotë më i keqi. Studentët këtë herë u ngritën duke e filluar me një gjobë, por deri në ato momente ishin toleruar. Aty nuk ka një kryetar, por është një asosacion të njerëzve të barabartë, të cilët respektojnë njëri-tjetrin dhe lirinë”, tha Berisha.

I pyetur nga gazetari Endri Xhafo nëse protesta e studentëve do të mbyllej nëse Qeveria do të plotësonte kërkesat e tyre, Berisha u shpreh: “Rama ka mbajtur qëndrimi ofenduese ndaj tyre. Protesta e studentëve është një revolucion demokratik për drejtësi sociale. Nëse nuk do të ishte kështu, kur Rama anuloi vendimin e gjobës, ata do të shpërndaheshin. Atyre ua tha ndërgjegjja e tyre të qëndrojnë sepse janë për drejtësi sociale”, tha Berisha.

Berisha theksoi më tej se gjithçka ka nisur me ligjin e arsimit. “Revolucioni i studentëve nuk shuhet pa arritur objektiva madhorë. Studentët janë multidimensional në kërkesat e tyre. Disa prej tyre e kanë shumë të qartë se drama e tyre nisi me ligjin e arsimit”, tha Berisha.

Berisha tha se Edi Rama i ka kërcënuar pedagogët dhe studentët. “Shqipëria do të ngrihet e tëra në këmbë. Studentët duhet të mbrohen me çdo çmim. Ai dje ka marrë në telefon studentët dhe pedagogët duke i kërcënuar”.

I pyetur nga gazetari se nga e ka marrë këtë informacion, ai tha se janë me dhjetëra qytetarët që e informojnë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN