Ambasada e SHBA: “Gurë” të rëndësishëm në ndërtimin e shtëpisë së drejtësisë

Pas zgjedhjes së anëtarëve të KLP dhe KLGJ ka reaguar edhe Ambasada Amerikane, e cila me anë të një postimi në rrjetet sociale, e vlerëson këtë si një hap “vendimtar në zbatimin e reformës në drejtësi të Shqipërisë”

“Ne përgëzojmë prokurorët dhe gjykatësit që morën pjesë në votim për kurajon e tyre dhe që zgjodhën të ndryshojnë historinë e Shqipërisë. Krijimi i Këshillave shënon një hap vendimtar në zbatimin e reformës në drejtësi të Shqipërisë, e cila zëvendëson një sistem të prishur me një sistem me integritet, i cili përmbush dhe u shërben nevojave të qytetarëve shqiptarë”.

Më tej, ambasada i vlerëson këto institucione si “gurë të rëndësishëm në ndërtimin e shtëpisë së drejtësisë”.

“Aktorët kombëtarë duhet tani të konsolidojnë këtë përparim të reformës në drejtësi, përfshirë edhe nëpërmjet rekrutimit dhe emërimit të magjistratëve të rinj, gjë që është vendimtare për funksionimin e gjyqësorit. Një gjyqësor i fortë dhe i pavarur është kritik për të sjellë për popullin shqiptar rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Shtetet e Bashkuara mbeten plotësisht të angazhuara në mbështetjen e Shqipërisë për ndërtimin e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe cilësor, i cili sjell drejtësinë për të gjithë qytetarët shqiptarë”, mbyllet reagimi i Ambasadës Amerikane.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN