Deklarata e Athinës për minoritetet, Tirana: Keqardhje! Shtrembëruat faktet

Një ditë pasi Athina shprehu shqetësimin e saj për vendimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, ku sipas tyre, sipërfaqe toke të minoritetit grek do të jepen për projekte turistike, ka reaguar edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë.

MEPJ shpreh habinë për këtë reagim nga pala greke dhe sqaron se VKM-ja ka si objekt evidentimin e zonave me interes për zhvillimin e turizmit të cilat gëzojnë statusin me “Pronësisë Shtetërore”.

“Si një vend evropian, anëtar i Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut, Shqipëria njeh juridiksionin e Gjykatës së Strasburgut dhe zbaton vendimet e saj. E drejta e pronës është e drejtë kushtetuese që gëzohet pa dallim dhe në mënyrë të barabartë nga të gjithë shtetasit, në mënyrë individuale, pavarësisht përkatësisë kombëtare. Për më tepër, të gjithë shtetasit gëzojnë të drejtën e ankimimit efektiv në instancat gjyqësore në rast pretendimesh për shkelje të këtyre të drejtave. MEPJ shpreh keqardhjen për deklaratën e MPJ-së greke e cila mbështetet në shtrembërim të fakteve. Dëshirojmë të sqarojmë se VKM-ja në fjalë ka si objekt evidentimin e zonave me interes për zhvillimin e turizmit të cilat gëzojnë statusin me “Pronësisë Shtetërore””.

Më tej, MEPJ rithekson se shteti shqiptar ka qenë dhe do të jetë gjithnjë i angazhuar në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të pakicave.

“Ky angazhim dëshmohet nga anëtarësimi ynë në Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare, garancitë kushtetuese në këtë fushë, si dhe miratimi i legjislacionit specifik për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë. Duke i bërë thirrje palës greke për lexim objektiv të fakteve dhe realitetit, dëshirojmë të kujtojmë se kuadri i pasur ligjor, në pajtim me praktikën evropiane, sikundër tradita e shkëlqyer e bashkëjetesës shoqërore në Shqipëri përbëjnë një shembull pozitiv për t’u ndjekur në rajon”, mbyllet reagimi i MEPJ.

Shkarkoni aplikacionin e A2