Alibeaj: KLGJ dhe KLP të dështuar, shpresa kundër Ramës janë studentët

Çështjet e ditës, protesta e studentëve si dhe ngitja e KLP dhe KLGJ u diskutuan në studiot e A2 edhe nga deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj.

Alibeaj e cilësoi protestën si një lëvizje “që ka të gjitha virtytet që shoqëria shqiptare për hir të së vërtetës nuk i ka patur para 10 ditëve”, duke shtuar që “sot kemi kuptuar që thelbi i protestës nuk janë ato pak pika siç po artikulohen këto ditë, por shfuqizimi i ligjit të arsimit, çorbë e gatuar nga Qeveria”.

Sipas tij, Opozita dërgoi sot me të drejtë disa përfaqësues në seancë, në mënyrë që Qeveria të shfuqizojë aktin që është shkak i gjithë këtij ngërçi. “Studentët vetë nuk mund ta bënin ketë, dhe në këtë rast kemi dhënë ne një kontribut”, deklaroi deputeti.

Për sa i përket sistemit të zgjedhjes të KLGJ dhe KLP, Alibeaj e cilëson si “episodi i fundit i dështuar”.

Pas 4 vitesh që u mendua për një proces i cili do të ndahesh nga mentaliteti i vjetër, dhe reforma u miratua me 140 vota, “mazhoranca miratoi në mënyrë të njëanshme ato ligje që e kthyen mbrapsht vullnetin kushtetues”.

Alibeaj jep një shembull. “Ata që u zgjodhën në KLGJ dhe KLP janë gjyqtarë ose prokurorë që në rastin më të madh nuk e kanë ende kaluar të plotë vettingun. Unë asistova në të dyja mbledhjet, pashë që anëtarët që kandidonin s’kualifikoheshin kur nuk ishin të pëlqyer nga Qeveria, dhe kalonin kur ishin të pëlqyeshëm. Ishin fytyra e Arta Markut, ku mbrapa ishte fytyra e Edi Ramës”.

Alibeaj komentoi edhe ndërhyrjen në studiot e A2 të nënkryetares së Kuvendit Vasilika Hysi, duke u thënë i sigurt që kandidatja e vetme nga mazhoranca për Prokurorinë e Përgjithshme do të jetë sërish Arta Marku, që sipas tij ka vazhduar “komandimet antiligjore të prokurorëve, në mënyrë që të zgjidheshin në KLP mbështetësit e saj, në mënyrë që të zgjidhet sërish”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN