Ankara, treni i shpejtë përplaset me mbikalimin, 9 të vdekur

Të paktën 9 persona humbën jetën dhe mbi 45 të tjerë u plagosën pas aksidentit të një treni të shpejtësisë së lartë në kryeqytetin turk, Ankara.

Autoritetet lokale bënë më dije se treni ekspres ishte përplasur fillimisht me një tren tjetër, e më pas me një mbikalim. Ngjarja ndodhi në 6:30 të orës lokale, pranë stacionit të Marsandiz.

Pamje nga aksidenti

Treni po udhëtonte nga Ankaraja në qytetin e Konyas në perëndim të Turqisë. Zyra e guvernatorit lokal deklaroi se mes viktimave ishte edhe makinisti, ndërsa CNN Turk raporton se kishin vdekur 6 pasagjerë dhe 3 pjesëtarë të stafit. 3 prej të plagosurve janë në gjendje kritike për jetën.

Vendi i aksidentit

Imazhe nga vendi I ngjarjes treguan ekipet e shpëtimit teksa përpiqeshin të nxirrnin pasagjerët nga vagonë të dëmtuar rëndë. Agjencia shtetërore e lajmeve Anadollu raportoi se 206 pasagjerë gjendeshin në tren në momentin e aksidentit.

Shkarkoni aplikacionin e A2