Boçi: Studentët të bashkohen me opozitën, qeveria ka dështuar

Luçiano Boçi, deputeti i Partisë Demokratike, u shpreh në emisionin “I Ftuari” të gazetarit Endri Xhafo në A2 se studentët duhet të bashkohen me opozitën, pasi kërkesat e tyre duhet të shndërrohen në alternativa.

“Kjo është një zgjidhje e debatueshme pasi vazhdojnë ende opsionet e ndryshme brenda grupimeve në protestë. Ata janë në emocionin e një lëvizje që ka zgjuar rininë shqiptare. Nuk duhet ngatërruar mekanizimi politik për zgjidhjen problemit. Çdo lëvizje opozitare është lëvizje politike dhe opozita është e detyruar t’i atashohet këtyre lëvizjeve dhe t’i shndërrojë në kauza. Edhe në këtë rast, ky ligj është kundërshtuar nga PD dhe sot ja ku jemi, në një linjë me studentët. Ata nuk duhet të kenë stepje, por të bashkohen me opozitën. Qeveria do të vazhdojë të jetë e qetë nëse do të vazhdohet në të njëjtën mënyrë. Kërkesat e studentëve duhet të marrin frymëzimin politik dhe të shndërrohen në alternativa dhe këtë duhet ta bëjë opozita. Qeveria ka dështuar në arsim, ekonomi, në reformat sociale dhe përderisa ka dështuar ka prishur kontratën me votuesit, me qytetarët”, tha Luçiano Boçi.

Sa i përket episodit të ndodhur ditën e sotme në Parlament, ku deputeti i PD, Boçi i hodhi kryeministrit letrat në tavolinë, ai u shpreh se ishte një përkrahje simbolike ndaj studentëve.

“Ishte një mesazh simbolik në mbështetje të protestës së studentëve, të cilët janë ngritur pikërisht kundër ligjit për arsimin e lartë. Ishte një lloj amaneti, të cilin duhet t’ia përplasja në surrat atë ligj, i cili ka sjellë edhe këtë reflektim të studentëve. Momenti ishte i rëndësishëm dhe ishte një përkrahje simbolike ndaj studentëve”, tha Boçi.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN