Protesta e “jelekëve të verdhë” në Francë, shënohet viktima e gjashtë

Një i ri u përplas për vdekje në Avinjon të Francës duke e çuar në 6 numrin e viktimave mes jelekëve të verdhë që prej nisjes së protestave. Ndërkaq, qeveria i beri thirrje manifestueseve të anulojnë tubimet e parashikuara për të shtunën, pas sulmit të ndodhur në Strasburg.

Shoferi i mjetit, një 26-vjeçar, është ndaluar nga policia sepse tentoi të arratisej nga vendi i ngjarjes.

I riu është viktima e gjashtë që nga fillimi i mobilizimit të “Jelekëve të Verdhë” në të gjithë Francën.

Paradë e “jelekëve të verdhë” në Paris

Duke parë situatën aktuale në vend dhe pas sulmit me armë në Strasburg, qeveria franceze bëri apel për përgjegjësi dhe ndalimin e manifestimeve.

“Me gjendjen aktuale, ekzekutivi nuk vendosi ndalimin e protestës së programuar për të shtunën por do të ishte e arsyeshme, pas sulmit në Strasburg, që të mos manifestohej. Zemërimi i tyre është shprehur dhe qeveria i është përgjigjur”, deklaroi Benjamin Griveaux, zëdhënës i Qeverisë.

Për 3 fundjava radhazi, “Jelekët e Verdhë” protestuan në të gjithë vendin dhe kryesisht në Paris. Kjo lëvizje kërkoi fillimisht heqjen e taksës mbi karburantin dhe ulje e kostos së jetesës.

Qeveria franceze iu përgjigj këtyre kërkesave duke pezulluar për një vit vendosjen e taksës dhe duke rritur pagën minimale me 100 euro në muaj duke filluar nga viti 2019.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN