Protesta e studentëve, edhe nesër para Kryeministrisë

Ka qenë një ditë e gjatë e enjtja për studentët që protestojnë prej nëntë ditësh. Por edhe pse sot protesta e tyre u spostua pranë Kuvendit, nesër do të rikthehet para godinës së Kryeministrisë. Edhe në orët e vona të mbrëmjes, aty kishte ende studentë, të cilët thanë për A2 se nuk kanë ndërmend të ndryshojnë qëndrim dhe të pranojnë dialogun me Kryeministrin.

Ata duan vetëm plotësimin e plotë të kërkesave të tyre. Protesta e nesërme parashikohet të nisë në orën 10:00, por nuk dihet ende nëse edhe nesër studentët do të jenë të ndarë në dy grupe, me një pjesë që protestojnë te Ministria e Arsimit.

Gjatë ditës, nga foltorja e Kuvendit, por edhe përmes rrjeteve sociale, Kryeministri Rama ka deklaruar se do të plotësojë kërkesat e tyre, nëse ulen për dialog. Ndërkohë, Presidenti Meta ka kthyer për rishqyrtim në parlament ligjin për buxhetin, vendim që është interpretuar nga Rama si një shtysë për studentët që të mos dialogojnë me Qeverinë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN